Shqipëria

Humbëm rastin që të kemi një President mbi palët, thotë Alibeaj


“Humbëm rastin që të kemi një President mbi palët dhe që të bënte detyrën në lartësinë e duhur”.

Kjo do të ishte deklarata e kreut të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, të hënën e 30 majit pas ezaurimit të raundit të tretë të votimeve të zgjedhjes së Presidentit të Republikës së Shqipërisë.

Sipas Alibeajt, mazhoranca nuk e mbajti fjalën dhe në tre raundet e para – Kushtetuta parashikon president konsensual – opozita mori pjesë e vetme.

“Të vetmit që morën pjesë në procesin e zgjedhjes së një Presidenti konsesual ishim ne. As vetë PS nuk mori pjesë”, u shpreh ai.

Ndër të tjera, ai theksoi se, siç kishte deklaruar qysh në krye të herës, “Presidenti tashmë do të zgjidhet nga vetë mazhoranca, sipas ndryshimeve Kushtetuese”.

“Kushdo të zgjidhet në raundin e katërt apo të pestë, nuk do të jetë President i shqiptarëve, por i njërës palë”, e përmbylli Alibeaj.

Më herët, kreu i Grupit Parlamentar të socialistëve, Taulant Balla, deklaroi se Shqipëria do e ketë një president.

Sipas tij, PS-ja pritet të propozojë kandidaturat e saj duke ndjekur parimet e procesit të zgjedhjes.

Balla theksoi se dëshira e mazhorancës ishte dialogu me të gjitha palët.

Deri tani janë ezauruar tre raundet e para të votimeve pa asnjë kandidat. Kjo, për faktin se opozita nuk propozoi asnjë emër.

Ndërkaq, të martën e 31 majit, ora 14:00, do të mblidhet Konferenca e Kryetarëve për vijimin e procedurës së zgjedhjes së Presidentit.

Çfarë parashikohet në Kushtetutë?

Procesi për zgjedhjen e Presidentit kalon në pesë raunde. Në tri raundet e para, ai duhet të zgjidhet me tri të pestat e votave – pra 84 vota.

Kushtetuta parashikon se, nëse në fund të tri raundeve nuk kemi një president konsensual, atëherë Kreu i Shtetit zgjidhet me 71 vota.

Sipas saj, socialistët mund ta zgjedhin vetë presidentin në raundin e katërt.

Shumica e kërkuar është e thjeshtë, 71 vota pro dhe ata i kanë me formatimin e parlamentit.

Presidenca e shtatë në Shqipëri do të përmbyllet më 24 korrik të vitit 2022.

Në krye të shtetit, që prej 2017-ës, është Ilir Meta.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore