Kosova

Austria mirëpret largimin e barrikadave: Asnjë pengesë në rrugën drejt BE-së


Ilustrim

Ministria e Punëve të Jashtme të Austrisë, përmes një cicërime në rrjetin social Twitter, ka mirëpritur njoftimin për heqjen e barrikadave në veri të Kosovës, të cilat nga 10 dhjetori kanë pamundësuar lëvizjen e lirë të qytetarëve.

Në këtë cicërim veçanërisht është falënderuar përpjekja e Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara dhe KFOR-it për të zhbllokuar ngërçin e krijuar pas bllokimit të rrugëve në katër komunat veriore të Kosovës.

“Ne mirëpresim de-përshkallëzimin midis Kosovës dhe Serbisë të lehtësuar nga BE-ja, ShBA-të dhe KFOR-i. Ne kemi shumë nevojë për stabilitet në rajon, angazhim të menjëhershëm dhe konstruktiv nga të dyja palët, si dhe përparim real në dialogun e normalizimit”.

“Asnjë pengesë në rrugën drejt BE-së!”, thuhet në cicërimën e MPJ-së austriake.

Qeveria e Kosovës asnjëherë nuk ka njoftuar zyrtarisht se po zhvillon negociata për heqjen e barrikadave në veri dhe madje kryeministri Albin Kurti, u shpreh i befasuar të mërkurën kur u lirua nga paraburgimi Dejan Pantiç.

Por, Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, gjatë ditë shkroi në Twitter duke treguar se si diplomacia u tregua funksionale dhe falënderoi edhe Kurtin për konstruktivitet.

“Diplomacia funksionoi për de-eskalimin e tensioneve në Veri të Kosovës. Dhuna kurrë s’mund të jetë zgjidhje”, shkroi Borrell, duke konfirmuar kështu që ishin përpjekjet diplomatike ato që krijuan një situatë të re në terren dhe mundësuan largimin e barrikadave nga serbët.

Ai madje ka falënderuar veçanërisht liderët e dy vendeve për rolin e tyre në këtë arritje.

“Mirëpres lidershipin e përgjegjshëm të presidentit Vuçiç dhe kryeministrit Kurti”, shkroi udhëheqësi i politikës së jashtme dhe të sigurisë të Bashkimit Evropian.

“Punë e mrekullueshme ekipore e BE-së, SHBA dhe NATO-s. Faleminderit të gjithëve që u përfshinë”, tha Borrell derisa shtoi se “tani na duhet progres urgjent në dialog”.

Ndryshe, pas 20 ditësh disa serbë të maskuar i kanë larguar barrikadat nga veriu i Kosovës të cilat i kishin vendosur në shenjë pakënaqësie pasi policia e kishte arrestuar ish-policin serb Dejan Pantiç, i cili dyshohet për sulmin e 6 dhjetorit në zyrën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në këtë pjesë.

Pas Rudarës, edhe në Lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicën Veriore ka filluar heqja e barrikadave të cilat ishin vendosur më 27 dhjetor,  ndërsa kryeministri Albin Kurti, ka theksuar se “kot u lodhën me barrikada, tash vetë po i heqin”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore