Lajme

Atentat ndaj ministrit të Ugandës, Katumba Wamala, vritet vajza dhe shoferi i tij


Ministri i transportit të Ugandës dhe ish-komandanti i ushtrisë, Gjeneral Katumba Wamala, ka mbetur i plagosur pas një sulmi nga disa njerëz të armatosur, ndërkohë që vajza e tij dhe shoferi janë lënë të vrarë.

Agjencia e lajmeve, BBC, tregon se, në bazë të dëshmitarëve, burrat e armatosur, të cilët ishin me motor, kanë qëlluar me disa të shtëna në drejtim të automjetit të tyre të vendosur pranë shtëpisë në kryeqytetin Kampala.

Nga ana tjetër, ushtria ka bërë me dije se po hetohen thirrjet telefonike të lidhura potencialisht me planifikimin e përpjekjes për vrasje.

Gjithashtu, ushtria po ruan spitalin ku po trajtohet Gjeneral Wamala, i cili ka dëmtime jo me rrezik për jetën.

Në Uganda, gjenerali vlerësohet si një nga politikanët dhe ushtarakët më të respektuar në vend. Ai më parë ka qenë shef i policisë, si dhe komandant i ushtrisë.

Në kohën kur ndodhi sulmi, Gjeneral Wamala ishte duke udhëtuar me automjetin e ushtrisë, i cili më pas u përfshi nga plumbat që vinin anash dhe përpara automjetit.

Sulmit të armatosur nuk arritën t’i mbijetonin, vajza e tij Brenda Wamala dhe shoferi i quajtur në vend si Haruna Kayondo.

Reporteri Patience Atuhaire ka thënë për BBC nga Kampala se tentativa për vrasjen e tij vjen si një tronditje, edhe pse sulme të tilla nuk janë të rralla.

Kjo pasi, gjatë viteve të fundit, vendi është hasur me skena të ngjashme të njerëzve të armatosur hipur mbi motoçikleta.

Jo më larg se në vitin 2018, Ibrahim Abiriga, politikan dhe mbështetës i flaktë i presidentit Yoweri Museveni, u qëllua duke u lënë i vrarë para shtëpisë së tij.

Në të njëjtën mënyrë, u vra edhe ish-zëdhënësi i policisë, Andrew Felix Kaweesi, në prill të vitit 2017.

Dhe asnjë nga atentatet nuk është hetuar apo ndjekur penalisht me sukses.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore