Lajme

Aleanca e udhëhequr nga Rusia dërgon trupa në Kazakistan


Njësitë e avancuara të aleancës të vendeve ish-sovjetike kanë mbërritur në Kazakistan.

Këto trupa janë pjesë e Forcave Kolektive të Organizatës së Traktatit të Sigurisë Kolektive (CSTO).

Me të mbërritur ato kanë filluar të përmbushin detyrat e tyre në vend, raporton sekretariati i CSTO-së.

Sipas informacioneve, trupat ajrore ruse u bënë pjesë e forcave paqeruajtëse të CSTO të dërguara në Kazakistan.

Pamjet e publikuara nga autoritetet ruse në Twitter e dëshmojnë transferimin e tyre drejt republikës ish-sovjetike.

“Detyrat kryesore të Forcave Kolektive të CSTO në Kazakistan do të jenë mbrojtja e objekteve shtetërore dhe ushtarake, ndihma në stabilizimin e situatës”, cilësohet në deklaratë.

Ndërkaq, policia në qytetin më të madh të Kazakistanit thotë se 12 oficerë u vranë në përleshjet me protestuesit, sipas Associated Press.

Presidenti i Kazakistani, Kassym-Jomart Tokayev adresoi në televizionin shtetëror pak para mesnatës thirrjen ndaj aleancës së shteteve ish-sovjetike, përfshirë Rusinë, për ndihmë në rivendosjen e rendit.

Kryeministri armen Nikol Pashinyan tha se organizata do të dërgojë paqeruajtës, në një deklaratë të publikuar nga agjencia ruse e lajmeve.

Tokayev pretendoi se trazirat u drejtuan nga “banda terroriste” që kishin marrë ndihmë nga vende të tjera të paspecifikuara.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore