Kosova

AAK do të bëjë fushatë vetëm 5 ditë


Ramush Haradinaj, Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, përmes një postimi në Facebook, ka njofutar se subjekti të cilën ai e drejton, ka vendosur që fushatën për zgjedhjet lokale të 17 tetorit, ta kufizojë në vetëm 5 ditë.

Sipas tij, AAK-ja fushatën 5 ditore do ta zhvillojë në përputhje të plotë me kriteret dhe rekomandimet e Institutit Kombëtarë të Shëndetësisë Publike.

Ai madje ka bërë të ditur se partia të cilën ai e drejton do të gjejë mënyra alternative të komunikimit për të shpalosur programin zgjedhor.

“Duke pasur parasysh situatën e rëndë epidemiologjike me Covid-19, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka vendosur që Fushatën konvencionale për zgjedhjet lokale Tetor 2021, ta kufizojë në 5 ditë. Të nderuar qytetarë, struktura e simpatizantë të AAK-së, do të përpiqemi që duke filluar nga nesër, të gjejmë mënyra alternative të komunikimit dhe të shpalosim programin dhe objektivat tona për zgjedhjet e 17 Tetorit. Gjatë kësaj kohe do ta zbatojmë modelin e fushatës digjitale”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Gjatë ditës së hënë, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kishte ftuar në takim të gjithë krerët e partive politike në Kosovë për të diskutuar për mundësin e shtyrjes së zgjedhjeve.

Takimi i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, me krerët e partive politike

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe njëherësh kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, kishte kërkuar shtyrjen e zgjedhjeve, në mënyrë që të mos ketë valë të re të virusit.

Ndryshe nga Kurti partitë opozitare në Kosovë, pas takimit me presidenten Osmani, kishin kërkuar që zgjedhjet të mbahen në datën e caktuar pra me 17 tetor.

“Ne besojmë që një skenar për shtyrje të zgjedhjeve nuk bën të ekzekutohet, sepse në pyetje është demokracia. Nuk kishte pajtueshmëri për shtyrje të zgjedhjeve dhe kjo është ditë e mirë për demokracinë”, ishte deklaruar Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

Ndërkaq kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka theksuar se beson që nuk do të ketë shtyrje të zgjedhjeve.

“Ne kemi shprehur qëndrimin tonë, që jemi të gatshëm edhe ta pezullojmë fushatën, që të ketë respektim rigoroz të respektimit të masave, po ashtu kërkova nga Qeveria t’i japë prioritet vaksinimit të personave të përfshirë në KQZ”, kishte potencuar Krasniqi.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore