Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar vdekjen e liderit të Iniciativës Qytetare SDP, Oliver Ivanoviç, duke shprehur ngushëllime për familjen.
Ai përmes një video-mesazhi ka thënë se, “sot ne përkujtojmë jetën dhe kujtimin e Oliver Ivanoviçit, në ditën e vdekjes së tij. Mendimet dhe ngushëllimet e mia janë me familjen dhe miqtë e tij”.
Kurti është shprehur për Ivanoviç se, “ishte një person i përkushtuar për të luftuar për interesat e komunitetit dhe qytetit të tij”.
“Ai e bëri këtë duke qenë i hapur, i sinqertë, gjithmonë i mprehtë në çështjet me rëndësi, por edhe i respektueshëm edhe ndaj atyre me të cilët nuk ishte dakord. Do të dëshiroja që kujtimi i tij të mbetet i gjallë, kujtimi i tij si një njeri që punoi për një të ardhme të qëndrueshme dhe për një Kosovë shumë etnike”.
Kryeministri, tutje ka kërkuar drejtësi për vdekjen e liderit të Iniciativës Qytetare SDP, duke kujtuar edhe mënyrën e vrasjes së tij.
“Pesë vjet më parë, Oliver Ivanoviç u vra në rrugët e Mitrovicës. Të gjithë ata që kryejnë një krim në Kosovë duhet të dalin para drejtësisë dhe më vjen keq që autorët dhe ata që e kanë porositur këtë krim ende nuk janë nxjerrë para drejtësisë”, ka shtuar tutje kreu i ekzekutivit.
Kërkesë e tij, ka qenë angazhimi i të gjitha institucioneve përkatëse për të gjetur dhe dënuar përgjegjësit për vrasjen e tij.
“Vrasja e Oliverit ndikoi gjithë shoqërinë. Ky krim vrau jo vetëm Oliver Ivanoviçin, por edhe pluralizmin politik te serbët”, ka potencuar Kurti.
“Kosova do të jetë e palëkundur në përkushtimin e saj për të qenë një shoqëri multikulturore dhe shumë etnike ku njerëzit ndihen të sigurt, mund të thonë mendimet e tyre dhe ta trajtojnë njëri-tjetrin me respekt, edhe nëse nuk pajtohen. Në këtë mënyrë të gjithë do ta ruajmë kujtimin e Oliver Ivanoviçit”.
Saktësisht në kohën dhe vendin ku është vrarë politikani serb, Oliver Ivanoviç të hënën e 16 janarit, familjarët dhe shokët kanë ndezur qirinj, për ta përkujtuar dhe kanë kërkuar drejtësi për vrasjen e tij.
Oliver Ivanoviç, që udhëhiqte nismën qytetare “Liria, demokracia, drejtësia” (SDP), u vra më 16 janar 2018 para objektit të partisë së tij në Mitrovicën e Veriut.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com-
ICC i përgjigjet Blinkenit: Izraeli nuk ka treguar se po i adreson shqetësimet tona
-
Mosanëtarësimi në KiE: Kurti s’flet për dështimet – sidomos nëse s’mund t’i fajësojë rivalët politikë
-
Irani ka kërkuar ndihmën e SHBA-ve për incidentin e Raisit
-
Aksidenti i Raisit u shkaktua nga një dështim teknik, thotë Irani