Shqipëria

10 miliardë lekë për energjinë dhe 2 projekt-vendime për investime kritike


Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, të mërkurën e 27 tetorit, ka njoftuar se janë vënë në dispozicion 10 miliardë lekë për sektorin e energjisë.

Ky vendim u mor me qëllim mbrojtjen e fashave të abonentëve familjare dhe bizneseve.

“Mungesa e sasive energjetike në treg janë të konsiderueshme në të gjithë Ballkanin”, tha Balluku, ndërsa theksin e vuri te prioriteti i qeverisë “Rama 3”, ai i krijimit të mburojës për abonentët familjarë dhe bizneseve.

Gjithashtu njoftoi se janë marrë dhe dy projekt-vendime për shpronësimin që “i hapin rrugë ndërtimit të dy linjave energjetikë të rëndësishme”.

Këto investime janë cilësuar si “kritike”, për shkak të emergjencës energjetike.

Ajo njoftoi se investime kritike, për shkak të emergjencave energjetike, në të tre kompanitë KESH, OSHEE, OST, janë tashmë të ndaluara.

Ndër të tjera, Balluku sqaroi se vetëm investimet kritike që kanë të bëjnë drejtpërdrejtë me rrjetin e shpërndarjes, transmetimit apo të prodhimit, do të vazhdojnë të funksionojnë.

Ndryshimet në VKM-në 822, që parashikon rregullimin e burimeve të energjisë së rinovueshme, sipas ministres Balluku, janë bërë “për të lehtësuar investimet vendase” në këtë sektor.

3 pika

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, të shtunën e 9 tetorit në një konferencë të jashtëzakonshme prezantoi planin e qeverisë për përballimin e krizës energjetike.

Kreu i qeverisë shqiptare bëri me dije se plani do të fokusohet në tre pika. E para kishte të bënte me garantimin dhe furnizimin pa ndërprerje të energjisë elektrike.

E dyta do të fokusohet te mbrojtja e familjes dhe biznesit të vogël. Dhe e fundit, jo më pak e rëndësishme, kishte të bënte me garantimin e fondit likuid.

Një ditë më parë, kryeministri shpalli gjithashtu vendimin e Këshillit e Ministrave për shpalljen e gjendjes së emergjencës energjetike në ShqipëriKjo, për shkak të situatës së krijuar edhe në tregjet botërore.

“Temperatura e kësaj krize po rritet kudo, tanimë me orë jo me ditë, ndërkohë që ulja e temperaturave të motit, po afron bashkë me dimrin dhe me rritjen e natyrshme të nevojës edhe për ngrohje”, tha të dielën e parë të tetorit Rama.

Diçka e pritshme kjo, pas lajmeve që qarkullojnë në mediat ndërkombëtare mbi çmimet evropiane të gazit natyror, të cilat janë rritur aq shumë, saqë qindra miliona njerëz mund të përballen me shtëpi të ftohta ose fatura të fryra të energjisë gjatë dimrit.

VKM-ja zbuloi se do të ngrihej një grup ndërinstitucional për menaxhimin e emergjencës dhe do të drejtohet nga zëvendëskryeministri, Arben Ahmetaj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore