Kosova

Gjermania dhe Franca pro largimit gradual të masave, por thonë se Qeveria s’po kontribuon në këtë çështje  


Ilustrim: Jorn Rohde, Olivier Guerot dhe Albin Kurti

Janë pothuajse të përditshme deklaratat e autoriteteve kosovare se tashmë nuk ka asnjë arsye që masat ndëshkuese të vendosura Kosovës nga Bashkimi Evropian në qershorin e vitit të kaluar pas përkeqësimit të situatës në Veri të Kosovës të mos largohen, me arsyetimin se situata në këtë pjesë të vendit është e qetë dhe se janë plotësuar të gjitha kushtet që ato të pushojnë së ekzistuari.

Deklaratat e krerëve institucionalë megjithatë për ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, nuk përkojnë aspak me situatën në terren.

Kjo për faktin se brenda në më pak se 14 ditë Qeveria e Kosovës u kritikua dy herë radhazi për vendimet që kontribuojnë në përkeqësimin e gjendjes në Veri të Kosovës nga shtetet e QUINT-it (SHBA-të, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Franca e Italia).

Ambasadat e Shteteve të QUINT-it dhe Bashkimi Evropian fillimisht më 14 maj kritikuan Kosovën për refuzimin e kërkesës për vizitë të kreut të Kishës Ortodokse Serbe, patriarkut Porfirije, dhe të disa priftërinjve të tjerë në Kosovë.

Vendimi i Qeverisë së Kosovës, sipas tyre, ishte në kundërshtim me nenet e Planit të Ahtisaarit, ku përcaktohen qartë të drejtat, privilegjet dhe imuniteti për klerin e Kishës Ortodokse Serbe dhe po ashtu nuk është në përputhje me obligimet e Kosovës që dalin nga dialogu që ndërmjetësohet nga BE-ja.

Disa ditë më pas QUINT-i kritikoi Kosovën përsëri, kësaj radhe për mos-koordinim paraprak në raport me aksionin e Policisë së Kosovës, e cila të hënën mbylli gjashtë filiale të “Bankës Postare Kursimore” të Serbisë në pjesën veriore të vendit të banuara me shumicë serbe, duke nënvizuar faktin se kështu Kosova po kontribuon në përkeqësimin e situatës në terren.

Për Rohde, ky mosdëgjim i këshillave e mos-koordinim paraprak “nuk krijon një atmosferë ku gjërat të zhvillohen shpejtë dhe rrjedhshëm” kur në pyetje është largimi gradual i masave ndëshkuese të BE-së.

“Javën e kaluar kishim deklaratat e BE-së, SHBA-ve dhe të QUINT-it lidhur me ndalesën e udhëtimit në Kosovë të Patriarkut Profirje. Ndërsa të hënën kemi kritikuar disa aktivitete jo të koordinuara në Veri. A mendoni se kjo krijon një atmosferë, a e përshpejton ky procesin e largimit të masave, përgjigja është jo”, u shpreh Rohde në një intervistë për RTV Dukagjini.

Sipas diplomatit gjerman nëse Qeveria e Kosovës dëshiron largimin e masave atëherë ajo duhet të marrë parasysh këto kritika.

Në fund të prillit, në takimin e fundit të Komitetit për Politikë dhe Siguri, shumica e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian (BE) u shprehën në favor të largimit të masave negative kundër Kosovës.

Për Ambasadorin e Francës në Kosovë, Olivier Guerot, Franca është në favor të largimit gradual të masave ndëshkuese.

“Ekziston gatishmëria nga ana e Francës që të diskutohet si mund të largohen masat”, u shpreh ai në intervistën për RTV Dukagjini.

Se edhe Gjermania është në largim gradual të masave e tha edhe Rohde, megjithatë ai për dallim nga kolegu i tij nga Franca, ishte më i drejtpërdrejtë duke potencuar se aktualisht Qeveria e Kosovës, përkundër që i ka plotësuar të gjitha kushtet për largimin e tyre, me manovrat e fundit nuk po kontribuon në këtë frymë.

Komisioni Evropian kishte vendosur masa ndëshkuese ndaj Kosovës një vit më parë për shkak të përshkallëzimit të situatës së sigurisë në veri të shtetit.

Masat e vendosura nga BE-ja ndaj Kosovës përfshinin: suspendimin e përkohshëm të grupeve punuese për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, mosftesën e Kosovës në takime të nivelit të lartë dhe suspendimn e vizitave bilaterale.

Gjithashtu, u suspendua edhe programimi i fondeve për Kosovën, të cilat ishin paraparë të dorëzoheshin përmes Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor dhe IPA 2024 (Intrumentet e Para-Anëtarësimit).

BE-ja zor se do t’i largojë masat ndaj Kosovës pas “operacionit përshkallëzues” në veri

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore