Shqipëria

Gazment Bardhi konfirmon rihapjen e dosjes ‘Xibraka’


Kreu i Grupit Parlament të PD-së, (Rithemelimi) Gazment Bardhi pas daljes së tij nga Prokuroria e Posaçme SPAK lidhur me dosjen “Xibraka”, në të cilën ai pretendon se i përfshirë është vëllai i kryeministrit Edi Rama, Olsi – tha se u pyet nëse kishte diçka për të shtuar si person në dijeni.

“Gjithçka që kam denoncuar publikisht e kam dorëzuar në SPAK. Jam informuar me shkrim nga drejtuesi i SPAK dhe hetuesit e BKH se dosja e Xibrakës është rihapur, ka rinisur hetimi për identifikimin e personave të përfshirë. Seanca e marrjes në pyetje kishte vetëm një pyetje, u thirra si person në dijeni dhe u pyeta nëse kisha diçka për të shtuar”, tha Bardhi.

Lidhur me dy kallëzimet për shpifje të Olsi Ramës ndaj tij, Bardhi u shpreh se interesi i tij është vijimi i hetimeve.

Ai ishte thirrur të dëshmonte më herët, por për shkak të angazhimeve, u vendos që të paraqitet sot, në arën 10:00.

Nga ana tjetër, kryeministri Rama ka kërkuar nga SPAK që të ndajë të vërtetën nga shpifja në lidhje me dosjen Xibraka.

Bardhi vetë, më 8 maj pretendoi se SPAK ka rinisur hetimet për Olsi Ramën dhe e ka thirrur vetë Bardhin të dëshmojë sa i takon çështjes.

“Jam njoftuar se procedimi penal 335/1 është vendosur rifillimi i hetimeve të pezulluara duke u numërtuar procedimi 88 i vitit 2024 dhe në javët në vazhdim, në cilësinë e personit që ka dijeni jam ftuar për të dhënë shpjegime në prokurorinë e posaçme”, bëri me dije Bardhi, duke publikuar edhe dy shkresa bashkëngjitur.

Reagimi i kryeministrit Rama ka qenë i drejtpërdrejtë dhe i menjëhershëm pas deklaratave të Bardhit.

Përmes një publikimi në X, ish-Twitter, ai formuloi fillimisht se “llafet i merr era, ndërsa drejtësia vepron vetëm me ligje e me prova, prandaj tani pas llafeve të mëdha edhe një detaj i vogël mungon dhe pastaj jemi krejt në rregull”.

“Pra mungon konfirmimi në dëshminë ligjore para SPAK-ut nga vetë B-ja i vogël (i referohet Bardhit) me gojën e madhe, se kur ka shkruar “Informacion” në fakt kallëzuesi i rremë nuk ka dashur t’ia hedhë me procedurë rrezikut që vjen nga marrja si i pandehur për kallëzim të rremë, po thjesht ka pasur një moment lajthitje profesionale”, vijoi më tej.

Teksa, më tutje, thotë se në rast se plotësohet kjo mungesë domethënëse për fatin e të vërtetës, atëherë SPAK-u ka të gjithë mundësinë ta ndajë të vërtetën nga shpifja dhe viktimën nga fajtori.

Rama ‘sfidon’ drejtësinë e SPAK të zbardhë të vërtetën, pasi Bardhi tha se është thirrur të dëshmojë për çështjen e “rihapur” ndaj Olsi Ramës

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore