Shqipëria

E enjtja e interpelancave – Opozita kërkon sqarime nga dy ministra


Këtë të enjte të 2 majit në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë do të mbahen dy interpelanca të kërkuara nga deputetët opozitarë.

Kështu deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka kërkuar diskutim me ministrin e Brendshëm, Taulant Balla.

Sipas Salianjit, Balla duhet të japë sqarime për situatën e kriminalitetit në vend dhe masat që ka ndërmarrë Policia e Shtetit për të frenuar këto veprimtari kriminale.

Vetë Balla ka konfirmuar se do të jetë i pranishëm në interpelancë.

“Jam njoftuar për një interpelancë me kolegun Salianji, për një set pyetjesh. Hajdeni dëgjoni përgjigjen dhe njihuni me shifrat e arritura deri tani nga procesi i vetëpastrimit në Policinë e Shtetit”, deklaroi ministri në Komisionin e Sigurisë.

Sa i takon kësaj vetëpastrimit Balla shpesh herë ka deklaruar se po punohet shumë.

Ai pranoi se “nuk ka një shkop magjik” që në tetë muaj në krye të kësaj ministrie të ketë rezultate të menjëhershme.

Ministri ka theksuar se së shpejti do të propozojë një ligj të ri në Kuvend për pastrimin e Policisë, ku do të kërkojë mbështetje edhe nga opozita.

“Dua t’ju shpreh angazhimin tim, shumë shpejt do vi këtu e do kërkoj mbështetjen e opozitës për një ligj të ri. Nuk kam asnjë dyshim se ka punonjës që ditën janë me uniformë dhe natën tradhtojnë besimin e qytetarëve”.

Pas ezaurimit të interpelancës së parë do të jetë radha e Ministres së Arsimit, Ogerta Manastirliu, për të dhënë shpjegime.

Ka qenë deputetja opozitare, Ina Zhupa, e cila ka kërkuar në interpelancë me Manastirliun për rezultatet e testit ndërkombëtar të PISA-s.

Vendi është renditur mes 15 vendeve të fundit.

“Testi PISA tregon se sa i aftë është sistemi arsimor i një vendi për të formuar intelektin dhe aftësitë e fëmijëve në lëndët Matematikë, Letërsi, Shkencë. Shqipëria është vendi me rënien më drastike nga 80 shtete, krahasuar me rezultatet e vitit 2018, duke humbur në matematikë 96 pikë, në letërsi 47 pikë, në shkencë 41 pikë”, thotë Zhupa në kërkesën e saj.

Për të, një rezultat i tillë duhet të jetë kambanë alarmi për të gjithë sistemin arsimor në vend me efektin zinxhir.

Nga ana tjetër në deklaratat publike Manastirliu la të kuptohej se rezultatet e këqija ishin si pasojë e mungesës së angazhimit dhe nuk pasqyronin gjendjen reale të arsimit parauniversitar në vend.

“Ato aspekte ku puna duhet të përmirësohet dhe ritmi duhet të shpejtohet dhe arritjet duhet të nxiten akoma me shumë, për të mundësuar që vlerësimet edhe ato ndërkombëtare sikurse është PISA, të mundet që të tregojnë dhe të na japin një pasqyrë dhe një panoramë reale, të cilat të mos penalizohen nga mungesa e angazhimit për shembull”.

Ajo ka paralajmëruar se do të ketë një plan për të ndryshuar këtë situatë, duke përfshirë trajnim të mësuesve, teste modele të ngjashme dhe kontroll në vijim të nxënësve.

“Ne kemi hartuar një plan ambicioz me synim përmirësimin e rezultateve të Shqipërisë në testim e ardhshëm”, tha Manastirliu.

Pas përfundimit të interpelancave ligjvënësit shqiptarë do të kalojnë për votim edhe projektligjin për Albcontrol dhe projektvendimin për zgjedhjen e kryetarit dhe një anëtari të bordit të Entit Rregullator të Energjisë Elektrike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore