Shqipëria

Zjarret në Shqipëri, niset ndihma nga Kosova


“I nisëm trupat tona të Forcave të Sigurisë së Kosovës në mbështetje të vëllezërve e motrave tona në Republikën e Shqipërisë”.

Këtë e ka konfirmuar ministri i Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, Armend Mehaj, mbrëmjen e 9 gushtit nëpërmjet një statusi në median sociale Facebook.

Në vijim Mehaj bëri me dije se krahas operacioneve në Kosovë, ka ofruar mbështetjen e plotë me kapacitetet e tyre në dispozicion për në Shqipëri.

“Pas rëndimit të situatës, përveç në zonat jugore tani më edhe në ato veriore, dhe kërkesës së autoriteteve shqiptare për mbështetje, kam siguruar homologun tim, Niko Peleshin, se vullneti im për zbarkim të kontingjentit të FSK-së në operacion për shuarjen e zjarreve, do të përkrahet fuqishëm nga Qeveria e Kosovës më në krye kryeministrin Albin Kurti dhe presidenten Vjosa Osmani”, shkruan ministri Mehaj.

Në përfundim ai thekson faktin se, “të bashkuar jemi më të fortë në kohë të vështira me vëllezërit e motrat tona”.

Më herët u njoftua nga Ministria e Mbrojtjes në Shqipëri që pritet ndihma nga Kosova në zonën e Kalimashit, Kukës, e cila është një vatër serioze zjarri.

Situata e zjarreve në Shqipëri

Nga Ministria e Mbrojtjes u njoftua pasditen e 9 gushtit se vijojnë të jenë problematike disa vatra zjarri. Ndërsa është larguar rreziku i flakëve në drejtim të Parkut Kombëtar të Llogarasë.

Situatë kritike paraqitet në Qarkun e Kukësit në zonën e tunelit të Kalimashit. Si pasojë e erërave të forta dhe terrenit, zjarri është përhapur drejt fshatit Shëmri. Ndërkohë në vendin e quajtur Qafa e Kumbullës është bërë i mundur izolimi i flakëve.

Ndërsa në fshatin Trull, ku rrezikoheshin stane, situata është nën kontroll.

Problematike vijon edhe situata në fshatin Thirrë, në Fan të Mirditës, ku zjarri është aktiv dhe rrezikon të afrohet në lagjen Gështenjë dhe në lagjen Karaq.

Në fshatin Munellë, si pasojë e erës së fortë, zjarri është riaktivizuar dhe po zbret drejt fshatit Domgjon.

Vatër aktive mbetet edhe në fshatin Patalej, në Mirditë , ku zjarri vijon në sipërfaqe me shkurre.

Për sa i përket Qarkut të Korçës, situata është drejt përmirësimit në më shumë se gjysmën e sipërfaqes së prekur nga flakët në zonën e Krushovës në Voskopojë.

Ndërsa po punohen me intensitet në vatrën aktive në Gjonomadh, ku është prekur një sipërfaqe me ah dhe lajthi.

Një tjetër vatër është njoftuar në kodrat në afërsi të fshatit Leshnjë, ku janë djegur rreth 1 ha shkurre, por flakët mbeten larg banesave.

Vatra të reja janë raportuar edhe në fshatin Shetaj në Ishëm të Durrësit, pa rrezik për banesat. Si dhe një vatër në zonën Guri  i Nikës, pjesë e zonave të Mbrojtura në bashkinë e Pogradecit, e cila po monitorohet nga punonjësit e Agjencisë së zonave të Mbrojtura.

Tashmë është drejt shuarjes zjarri në fshatin Corrush në Mallakastër, zjarri në fshatin Bogë në Shkodër.

Gjithashtu është izoluar vatra në Parkun e Tomorit në Berat.

Ndërsa ka një riaktivizim zjarri në Zogas të Skraparit, ku forcat po vijojnë punën për mbajtjen nën kontroll.

U shua totalisht vatra e zjarrit në fshatin Lukan në Dibër.

Në fshatin Hajdaraj, në Kavajë u raportua një zjarr në shkurre, i cili nga era mori përmasa të menjëhershme, duke rrezikuar banesat që ndodheshin në fshat. Por u sigurua në kohë evakuimi i banorëve dhe situata është nën kontroll.

Në ndjekje është edhe një vatër zjarri e raportuar në një zonë me pemë dushku, në fshatin Fanjë, në Bashkinë Përrenjas, e cila ndodhet në terren të vështirë.

Monitorimi vijon në gjithë vendin për të shmangur përshkallëzimin e flakëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore