Lajme

Zjarret nё Greqi, kёrcёnohet rrjeti energjetik në Atikë


Zonat e prekura nga zjarri nё Greqi po hasin probleme nё furnizimin me energji elektrike.

“Zjarri po kërcënon objekte të rëndësishme IPTO, nga të cilat varet furnizimi i sigurt i zonёs sё Atikës, nё Athinё”, njoftuan autoritetet në vend.

Pjesë tё fshatit Malakasa, Afidnes, Agios Stefanos, Polydendri, stacioni i pompimit Kryoneri dhe pronat mbretërore të Tatoi janё pa energji elektrike.

Në ishullin e Evia-s mungon energjia në zonat e Kechries, Limni, Dafni, Mourtias, Sepiada, Chronia, ndërsa në Peloponez, sipas Operatorit Grek tё Rrjetit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (HEDNO), furnizimi me energji elektrike është rikthyer.

Në Atikë, njё përpjekje për të mbrojtur infrastrukturën bazë (Qendra e Tensionit Super Agios Stefanos) nga e cila varet furnizimi i sigurt me energji elektrike i kryeqytetit, dha rezultat.

Vonë në mbrëmje u mbajt një takim i jashtëzakonshëm në Qendrën Kombëtare të Kontrollit në Kryoneri, me pjesëmarrjen e ministrit të Mjedisit dhe Energjisë, Costas Skrekas, zëvendësministrit Akis Skertsos, zëvendësministrit të Brendshëm, Stelios Petsas, dhe kreut të ADM.

Qëllimi i takimit është shqyrtimi i skenarëve të ndryshëm në lidhje me evoluimin e fronteve të zjarrit dhe ndikimin e tyre të mundshëm në funksionimin e sistemit të transmetimit.

Ndërkohë, zjarri në Atikë mbetet ende jashtë kontrollit, me erërat e forta që pengojnë përpjekjet e shuarjes.

Fronti kryesor ndodhet në zonën e Afidnes dhe shtrihet nga Kryoneri në Kapandriti dhe Malakasa nga perëndimi dhe Liqeni Marathon nga lindja.

Shtëpitë dhe bizneset janë përfshirë nga flakët.

Një qytetar 38-vjeçar, i cili u godit nё kokё si pasojё e njё aksidenti, humbi jetёn.

Nuk është bёrё ende e ditur nëse ishte banor apo zjarrfikës vullnetar.

Zjarret vijojnë po ashtu fuqishëm në Evia, Ilia, Laconia, Messinia dhe Fthiotida.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore