Shqipëria

Zgjedhjet në PD: Votojnë kandidatët, tensione dhe thirrje për pjesëmarrje


Katër kandidatët e PD-së për kryetar

Po vijon procesi i votimit për zgjedhjen e kryetarit të ri të Partisë Demokratike, ku mes thirrjesh për pjesëmarrje dhe tensione mbi procesin, kanë votuar të katër kandidatët për kryetar.

Në tërësi ndërkaq, deri në mesdite, rreth 17% e demokratëve e kanë kryer zgjedhjen e tyre.

I pari që ka votuar, ka qenë kryetari aktual i demokratëve, Lulzim Basha. Ai nuk ka preferuar të flasë shumë përpara mediave, duke e ndalur diskursin e tij në atë që ka qenë gjatë gjithë fushatës: “Beteja për ndryshim dhe për rrëzimin e regjimit Rama-Doshi”.

Fatbardh Kadilli ka qenë kandidati i dytë i cili është qasur drejt kutive të votimit. Pas përfundimit të procedurave, ai shprehu shqetësim mbi pabarazinë ku po zhvillohen këto zgjedhje.

Pavarësisht kësaj, ai e cilësoi veten si “shkëndija e parë e këtyre zgjedhjeve brenda PD-së”. Kështu, duke cilësuar se “ringritja, bëhet sot duke votuar lidershipin”.

Kandidatja e vetme grua, Edith Harxhi, është e vetmja që nuk votonte pranë selisë blu. Ajo iu drejtua degës rajonale të PD-së pranë Njësisë numër 5 në Tiranë, ku edhe votoi.

Për Harxhin, demokratët duhet doemos të votojnë ndryshimin, por nuk kurseu as shqetësimin mbi parregullsi të pretenduara në procesin zgjedhor.

Pavarësisht rezultatit zgjedhor gjithsesi, Harxhi ka bërë të qartë se do të vazhdojë të bëjë gjithçka të mundur për ngritjen e partisë në nivelin që i takon.

Agron Shehaj, ka qenë i fundit kandidat, i cili votoi. Shehaj ka ngritur një shqetësim mbi shkarkimin e disa vëzhguesve të tij nga procesi zgjedhor në tre njësi administrative në Tiranë. Këtë fakt, e ka përgënjeshtruar kryetari i Komisionit Zgjedhor në PD, Jemin Gjana.

Përpos kësaj, Shehaj u ka bërë thirrje demokratëve të votojnë me qetësi dhe të marrin pjesë në zgjedhje.

Berisha voton dhe nuk përjashton rikthimin në krye

Kreu historik i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka votuar rreth mesditës, duke cilësuar se sipas tij, kjo garë nuk do të nxjerrë ndasi në PD.

Por, ajo që bëri më shumë bujë, ishte rikonfirmimi i hipotezës se ai mund të rikthehet në krye të demokratëve.

Kur u pyet mbi fjalën e tij “Kurrë mos thuaj kurrë” për rikthimin në majën e piramidës së demokratëve, ai u shpreh se “është konsistent në atë që thotë”, duke lënë të nënkuptuar kështu se një opsion i tillë është ende i hapur për Berishën në mendësinë e tij.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore