Shqipëria

Zgjedhjet në PD: Voton Agron Shehaj


Kandidati për kryetar të Partisë Demokratike, Agron Shehaj, mesditën e 13 qershorit, ka votuar pranë selisë qendrore të PD-së.

Në një prononcim për gazetarët ai ka deklaruar se “sot anëtarët e PD nuk zgjedhin thjesht kryetarin e ri të partisë por vendosin fatin e zgjedhjeve të ardhshme”.

Shehaj falënderoj mbështetësit e tij dhe u bëri thirrje demokratëve të votojnë “me qetësi”.

Në përfundim Shehaj tha se “kemi standard të ulët në këtë proces”, i cila sipas tij, mund të kthehet në ‘boomerang” për Partinë Demokratike.

Me kandidatin Shehaj përmbyllet kështu dhe votimi i garuesve për kreun e demokratëve.

Kryetari aktual njëkohësisht dhe kandidat për rimarrjen e postit, Lulzim Basha ishte i pari që votoi. Duke pasuar më pas me Fatbardh Kadillin dhe Edith Harxhin.

Zgjedhjet për kryetarin e ri të Partisë Demokratike kanë nisur mëngjesin e 13 qershorit, me fluksin e parë të anëtarësisë demokrate që i është drejtuar kutive të votimit.

Shehaj denoncon përjashtimin e vëzhguesve të tij 

Më herët disa vëzhgues të Shehajt, janë shkarkuar nga detyra pas debateve dhe trazirave që po shkaktonin në disa nga qendrat e votimit. Përkatësisht pranë selive të demokratëve në Njësinë numër 5, 10 dhe 15 në Tiranë.

Nëpërmjet një statusi në median sociale Facebook, Shehaj ka deklaruar se “jemi duke mbledhur fakte e të dhëna për të gjitha shkeljet dhe parregullsitë”.

Më tej ai shton se vëzhguesit e tij në disa degë po mbahen larg monitorimit të procesit.

Reagimi i kryetarit të komisionit zgjedhor të PD-së

Kryetari i Komisionit Zgjedhor i Partisë Demokratike (PD), Jemin Gjana iu përgjigj duke thënë se “nuk është përjashtuar asnjë vëzhgues”.

Gjana tha se deri mbrëmjen e 12 qershorit në orën 12.30, ka vazhduar procesi i marrjes së propozimeve nga kandidatët për deputet dhe përfaqësuesit e tyre.

“Kemi pasur probleme në shtata apo tetë raste të përfaqësuesve të kandidatit Shehaj. Për arsye se erdhën disa propozime që u rrëzuan në Komisione”, tha ai ndërsa ka vijuar me sqarimin e arsyeve.

“Ose nuk kanë pasur kartë anëtarësie dhe nuk kanë qenë në listën e anëtarësisë, ose janë deleguar nga një degë në një degë tjetër”.

I pari i Komisionit Zgjedhor të PD-së, ka thënë se, nuk është pranuar që vëzhguesi i kandidatit Shehajt në Kavajë të jetë një anëtar partie i Rogozhinës. Si dhe nuk është pranuar që vëzhguesi i Kandidatit Shehaj në Maliq, të jetë një anëtar partie e Korçës, sipas Gjanës.

Po ashtu është shpjeguar dhe rasti i zëvendësimit të vëzhgueses të kandidatit Shehaj, e cila sipas Jemin Gjanës, shkaktoi probleme në qendrën e votimit për dy orë rresht ndaj ka marrë penalitet dhe është përjashtuar nga qendra e votimit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore