Shqipëria

Zgjedhjet në PD: Shkarkimi i vëzhguesve, Shehaj: Po mbledhim fakte për shkeljet


Disa vëzhgues të kandidatit për kreun e Partisë Demokratike, Agron Shehaj, janë shkarkuar nga detyra pas debateve dhe trazirave që po shkaktonin në qendrat e votimit pranë selive të demokratëve në Njësinë numër 5, 10 dhe 15 në Tiranë.

Nëpërmjet një statusi në median sociale Facebook, Shehaj ka deklaruar se “jemi duke mbledhur fakte e të dhëna për të gjitha shkeljet dhe parregullsitë”.

Më tej ai shton se vëzhguesit e tij në disa degë po mbahen larg monitorimit të procesit.

“Vëzhguesit e mi të pranishëm po mbahen larg dhe nuk po iu lejohet që të verifikojnë nëse ata që po votojnë kanë të drejtë vote apo jo”.

Shehaj ka akuzuar se procesi i votimet në PD ka filluar me një standard “demokratik shume të ulët”.

“Iu bëj thirrje komisionerëve dhe drejtuesve të partisë të mos i kthejnë zgjedhjet në një farsë elektorale”.

Në përfundim ai u bëri thirrje demokratëve të thjeshtë që të luftojnë për votën e tyre dhe të mos lejojnë askënd që t’u heqë të drejtën për të votuar.

Zgjedhjet për kryetarin e ri të Partisë Demokratike kanë nisur mëngjesin e 13 qershorit, me fluksin e parë të anëtarësisë demokrate që i është drejtuar kutive të votimit.

Deri më tani ka votuar kreu aktual i Partisë Demokratike njëkohësisht dhe kandidat për rimarrjen e këtij posti, Lulzim Basha, kandidatët Fatbardh Kadilli dhe Edith Harxhi.

Janë 75 mijë anëtarë të PD-së, të cilët kanë mundësi të votojnë sot për kryetarin e ri. Rezultati pritet të shpallet mëngjesin e 14 qershorit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore