Lajme

Zaev: Dorëheqjet, një akt i lartë moral dhe etik


Kryeministri i Republikës së Maqedonisë Veriore, Zoran Zaev, ka reaguar pas dorëheqjes së ministrit maqedonas të Shëndetësisë, Venko Filipçe duke e cilësuar si një akt të lartë moral dhe etik.

Zaev theksoi më tej në deklaratën zyrtare se do të ketë vendime pasuese. Kjo, pasi të faktohen përgjegjësit nga hetimi i ekspertëve.

Të mërkurën e 8 shtatorit, në spitalin modular COVID të Tetovës pati një zjarr, i cili mendohet të jetë shkaktuar pas një shpërthimi.

Si pasojë e zjarrit, u regjistruan 14 fatalitete dhe u lënduan me dhjetëra.

Kryeministri maqedonas sqaron se i pranoi dorëheqjet e ministrit të Shëndetësisë Filipçe, zëvendës ministrit Hasani dhe drejtorëve të spitalit të Tetovës, Besimi dhe Etemi duke i konsideruar si akte morale dhe demonstrim të integritetit të tyre.

“Autoritetet hetimore dhe gjyqësore po kryejnë një hetim jashtëzakonisht të plotë, profesional dhe të shpejtë që duhet të përcaktojë në detaje shkaqet e shpërthimit të zjarrit vdekjeprurës. Ekspertët mjeko -ligjorë nga Mjekësia Ligjore Federale Gjermane gjithashtu do të kontribuojnë në ekspertizën dhe besueshmërinë e hetimit, për të cilin tashmë po kryhen zbulimet dhe aktivitetet përgatitore dhe për të cilat shpreh mirënjohjen time ndaj aleatit tonë në NATO, Gjermanisë”, lexohet në njoftimin zyrtar të autoriteteve maqedonase.

Zaev falënderoi të gjithë aktorët që shpëtuan jetë “në një periudhë jashtëzakonisht të shkurtër kohore, dhanë informacion dhe analiza serioze në hetim, siguruan ekspertizën më të lartë të huaj”.

Kryeministri është angazhuar se do të mbahet përgjegjësia e incidentit. Kjo, e përcaktuar qartë në bazë “të fakteve të pakundërshtueshme kriminalistike, dhe jo në bazë të llogaritjeve politike”.

Rindërtimi i situatës

Ministri i Shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut, Venko Filipçe, bëri të ditur se i propozoi më herët kryeministrit Zaev dorëheqjen nga posti i tij. Kjo, për shkak të zjarrit që përfshiu spitalin e Tetovës.

Këtë e bëri të ditur, vetë ministri përmes një deklaratë për shtyp.

“Tragjedia e fundit në Tetovë më ka prekur shumë, më vjen keq për viktimat, ngushëllime për familjet e tyre. Nuk kam fjalë ta përshkruaj këtë dhe s’ka mënyra për kompensim”, është shprehur Filipçe.

Përveç Filipçes, nga pozitat e tyre u larguan edhe zëvendësministri i Shëndetësisë, Ilir Hasani, dhe dy drejtorët e Spitalit Klinik të Tetovës, Florin Besimi dhe Artan Etemi.

Edhe Filipçe, si kolegët e tij, vendimin e justifikon me përgjegjësitë morale që ai mban si ministër për tragjedinë që ndodhi në spitalin e Tetovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore