Lajme

Vukotiçit i rikonfirmohet dënimi me dhjetë vjet burg për dhunë seksuale gjatë luftës në Kosovë


Ilustrim.

Ish-rezervistit të policisë serbe, Zoran Vukotiç i është konfirmuar dënimi me dhjetë vjet burgim për kryerjen e veprës penale të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Vendimi është marrë nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Ndërsa, në korrik të vitit 2021, ai ishte dënuar me dhjetë vjet burgim, por më pas çështja ishte kthyer në rigjykim.

Avokati i të akuzuarit, Nebojsha Vlajiç, në një përgjigje për Radio Evropa e Lirë, tha se gjykimi është përsëritur për shkak të “gabimeve procedurale”.

Gjykata Themelore në Prishtinë.

“Këto ditë u zhvillua një proces i ri dhe sot u shqiptua dënimi njësoj si herën e parë, dhjetë vjet burgim. Ne kemi të drejtë ankese dhe do ta ankimojmë sepse besojmë se nuk ka prova për akuzën ndaj tij”, tha ai.

Aktakuza ndaj Vukotiç ishte ngritur në mars të vitit 2022.

Në aktakuzë sqarohej se ai ishte pjesëtar i forcave policore të njësisë rezervë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, “kishte marrë pjesë në dëbimin e popullatës civile shqiptare, në kryerjen e dhunës fizike dhe psikike ndaj tyre si dhe me përdorimin e dhunës dhe veprimeve të tjera çnjerëzore, kishte kryer dhunim seksual ndaj gruas së nacionalitetit shqiptar”.

Sipas të dhënave të prezantuara nga institucionet në Kosovë, gjatë luftës së fundit, janë rreth 20 mijë raste të dhunimeve seksuale nga pjesëtarë të forcave serbe.

Gjatë luftës së fundit në Kosovë, më 1998-1999, janë vrarë rreth 13 mijë e 500 persona, shumica dërrmuese shqiptarë, ndërsa mbi 1 mijë e 600 persona vazhdojnë të jenë të zhdukur.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore