Kosova

Vuçiç: E takova Putin-in, ai po shpërthen nga vetëbesimi


Aleksandër Vuçiç

Në kohën kur e gjithë bota perëndimore është pozicionuar kundrejt Rusisë për shkak të agresionit në Ukrainë, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka zgjedhur të thur elozhe ndaj presidentit të këtij shteti, Vladimir Putin.

Vuçiç, i cili po qëndron në Kinë në kuadër të forumit të tretë “Belt and Road”, në një prononcim të shkurtër për media, ka bërë të ditur se e ka zhvilluar një bisedë të shkurtër me Putin-in, i cili sipas tij “po shpërthen nga vetëbesimi”.

“E pashë Putinin që po shpërthen nga vetëbesimi, ai kishte bisedime të gjata me presidentin kinez Xi dhe kryeministrin hungarez Viktor Orban”, deklaroi ai nga Pekini, i shoqëruar nga ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiç e ministri i Mbrojtjes, Milosh Vuçeviç.

Vuçiç, gjatë deklarimit për media takimin me presidentin e Kinës, Xi Jinping, e ka vlerësuar si jashtëzakonisht miqësore.

Siç tha Vuçiç me Xi Jinping ka biseduar edhe për Kosovën, respektimin e normave juridike ndërkombëtare dhe atë që po kalon Serbia, si dhe “aplikimin e standardeve të dyfishta, mosrespektimin e Kartës së OKB-së dhe Rezolutës 1244”.

“Ne hasëm në mirëkuptimin e miqve tanë kinezë. Ne folëm edhe për gjëra të tjera që na duhen nga bashkëpunimi në të gjitha fushat e ekonomisë e deri te bashkëpunimi ushtarako-teknik”, tha Vuçiç.

Vuçiç ndër të tjera ka theksuar se gjatë qëndrimit në Kinë është takuar edhe me kryeministrin Orban, me të cilin ka diskutuar për seancën e ardhshme të Këshillit Evropian.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore