Lajme

Vëllai i Donjeta Pajazitajt pas vendimit të Supremes: Shteti po vret, drejtësia nuk po vendoset


Foto: Ibrahim Berisha, Radio Evropa e Lirë.

Pas vendimit të Gjykatës Supreme që i akuzuari për vrasjen e Donjeta Pajazitaj të lirohet, ka reaguar vëllau i saj Shkëlqim Pajazitaj.

Përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, ai ka thënë se është shteti ai i cili po vret.

“Drejtësia e Kosovës edhe njëherë vërtetoi se sa e fëlliqur është, edhe njëherë vërtetoi se njerzillëku nuk ekziston, vërtetoi që njerëzimi që punon aty e shesin fytyrën për para”.

Teksa, ka shtuar se kanë humbur besimin nga të gjitha institucionet e Kosovës.

“Nga sot e tutje, ne nuk kemi besim as në Polici, as në Gjykatë, as në Prokurori – kur që 7 vjet nuk ishin në gjendjen me zbulu të vërtetën. Këta janë më shumë të interesuar të marrin një pagë nga shteti sesa ta vënë drejtësinë në vendin e tyre”, ka shkruar ai.

Nga vendimi që dënimi nga burgimi i përjetshëm t’i ulët i akuzuari për vrajsen e Donjeta Pajazitajt është liruar.

Vendimi për lirimin e Naser Pajazitajt është marrë nga Kolegji Penal i Gjykatës Supreme, teksa lajmin për Albanian Post e ka konfirmuar zyrtarja për informim publik në Gjykatën Supreme, Antigona Uka-Lutfiu.

“Ju njoftoj se Kolegji penal i Gjykatës Supreme në seancën e mbajtur me datë 6 prill 2023, e ka liruar N.P nga akuza për vrasje. Pas përpilimit të aktgjykimit brenda afatit ligjor i njëjti do të bëhet publik”, ka thënë ajo përmes një përgjigje me shkrim për Albanian Post.

Më 18 nëntor, pas shqyrtimit të ankesave të mbrojtjes, Gjykata e Apelit kishte marrë vendim që Naser Pajazitajt t’i ulët dënimi nga burgimi i përjetshëm, në 35 vjet burgim.

Në vitin 2015 në një fshat të komunës së Deçanit në Kosovë, kishte ndodhur një nga vrasjet më misterioze të pasluftës.

Një vajzë e re, Donjeta Pajazitaj, ishte zhdukur një ditë derisa po shkonte në punë. Kaluan javë të tëra dhe ajo nuk gjendej, derisa në bjeshkët e fshatit Strellc të Deçanit u gjetën mbetje të një trupi.

Pasi u lajmërua policia dhe u bë ekspertiza, u kuptua se mbetjet ishin të vajzës 24 vjeçare që po mungonte prej javësh.

Rasti është trajtuar nga të gjitha shkallët gjyqësore në Kosovë dhe janë marrë vendime kontradiktore në shkallë të ndryshme.

Personi që u shpallë i pafajshëm më vonë u dënua me burgim të përjetshëm dhe më pas u kthye në rigjykim përsëri.

Supremja liron Naser Pajazitajn, të akuzuarin për vrasjen e Donjeta Pajazitajt

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore