Lajme

Universiteti i Cambridge-it ka marrë “përfitime të rëndësishme” nga tregtia e skllevërve


Universiteti i Cambridge-it ka fituar “përfitime të rëndësishme” nga tregtia e skllevërve transatlantik.

Megjithatë, nuk ka asnjë provë që universiteti zotëronte skllevër, sipas një studimi të ri që heton lidhjet e tij historike me skllavërinë.

Hulumtimi ka veçuar investimet e konsiderueshme të bëra nga kolegjet e Cambridge-it në kompanitë e përfshira në tregtinë e skllevërve, si kompania e Indisë Lindore dhe e Detit të Jugut.

Por edhe me pasurinë që rrjedh nga skllavëria nga të diplomuarit, shokët dhe bamirësit e universitetit deri në vitet 1850.

“Kërkimi nuk gjeti asnjë provë që universiteti zotëronte drejtpërdrejt skllevër. Megjithatë, ai identifikoi përfitime të rëndësishme për universitetin dhe kolegjet e tij që rrjedhin nga investimet në kompani që ishin pjesëmarrëse në tregti, nga përfituesit individualë dhe nga tarifat që rrjedhin nga familjet e pronarëve të tyre”.

Si përgjigje, Cambridge-i do të krijojë dhe financojë një qendër kërkimore të “trashëgimive të skllavërisë” për të vazhduar hetimet.

Por edhe për të rritur mbështetjen financiare për studentët me ngjyrë, me bursa të dedikuara për studentët pasuniversitar nga Afrika dhe Karaibet, së bashku me përpjekjet më të mëdha për të rekrutuar dhe promovuar anëtarët me ngjyrë të stafit.

Gjithashtu planifikon të porosisë vepra arti për të festuar të diplomuarit e tij me ngjyrë dhe për të përkujtuar stafin dhe studentët që bënë fushatë për heqjen e skllavërisë dhe tregtisë së skllevërve.

Ndërkohë, raporti detajonte investimet e bëra nga kolegje individuale si Gonville & Caius, Trinity dhe King’s, me disa investime në kompani të përfshira drejtpërdrejt në kulmin e tregtisë së skllevërve në Atlantik.

Kurse në raste të tjera, kolegjet morën donacione nga investitorë të mëdhenj në kompani koloniale si Royal African Company, South Sea Company dhe East India Company.

Sipas studiuesve, një përfshirje e tillë financiare ndihmoi në lehtësimin e tregtisë së skllevërve dhe solli përfitime shumë të rëndësishme financiare për universitetin.

Raporti ka nxjerrë se muzeu i famshëm Fitzwilliam i universitetit “u themelua mbi paratë e trashëguara nga një guvernator i kompanisë së Detit të Jugut të tregtisë së skllevërve”.

Muzeu do të mbajë një ekspozitë mbi skllavërinë dhe pushtetin vitin e ardhshëm duke përdorur objekte nga koleksioni i universitetit.

Por lidhjet nuk ishin thjesht financiare.

Referuar studimit, vëllai skllavopronar i një mjeshtri të shekullit të XVIII-të të Gonville & Caius “e emëroi një person të skllavëruar Caius për nder të kolegjit të vëllait të tij”.

Autorët kanë treguar se “pjesëmarrja e Cambridge-it në imperializëm dhe skllavëri është jashtëzakonisht komplekse”.

Ky raport është i fundit nga një varg hetimesh mbi investimet universitare dhe donacionet nga pasuria e fituar përmes skllavërisë dhe shfrytëzimit të epokës koloniale.

Universiteti i Oxford-it vazhdon të luftojë me polemika mbi trashëgiminë e Cecil Rhodes, trashëgimia e të cilit krijoi fondin e bursave të Rhodes dhe mbështeti kolegjin Oriel, i cili mban një statujë të Rodos-it.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore