Bota

Turqi: Qeveria autorizon policinë të përdorë armë luftarake kundër protestuesve


Pas ngritjes së studentëve në protestë, një ligj i ri, fuqizon policinë turke dhe Agjencinë Kombëtare të Inteligjencës MIT. Ligji u miratua nga Qeveria turke. Lejon policinë dhe shërbimet sekrete të përdorin pajime të rënda ushtarake kundër ngjarjeve që konsiderohen si kërcënim për sigurinë kombëtare.

Sipas ligjit turk, protestat, demonstratat dhe sulmet terroriste, konsiderohen si kërcënim i sigurisë kombëtare.

Legjislacioni i ri i lejon policisë, Forcave të Armatosura Turke (TSK) dhe MIT-it, për të transferuar materialet mes tyre, pa pasur nevojë për procedura.

Ky ligj erdhi si pasojë e konfrontimit mes studentëve dhe policisë.

Studentët u ngritën në protestë gjatë javës, pas emërimit të rektorit të ri në Universitetin Bogazici në Stamboll, Melih Bulu.

Në një dekret presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, emëroi Melih Bulu-n, rektor të Universitetit Bogazici në Stamboll.

Bulu në vitin 2015 ka kandiduar si deputet për partinë e Erdogan-it, Drejtësi dhe Zhvillim (AKP).

Krahas lidhjeve të Bulu-së me partinë, ishte pikërisht emërimi i tij me dekret presidencial, që nxiti reagim tek studentët dhe pedagogët.

Qeveria e Erdogan-it dënoi protestat e fundit. Studentët dhe pedagogët u shpërndanë nga policia me plumba gome dhe gaz lotsjellës.

Policia turke ka arrestuar 17 studentë, me akuzat: zhvillim i paautorizuar i protestës dhe rezistencë ndaj forcave të rendit.

Anëtari i bordit të Fondacionit për Demokraci Sociale, Ali Tirali, deklaroi se qeveria po humbet mbështetjen e popullit. Qeveria, sipas tij, po mbanë pushtetin përmes forcës dhe frikës.

Me reformën kushtetuese të vitit 2017, Erdogan-i mori të drejtën për të emëruar rektorët e Universiteteve. Rektorët më parë zgjidheshin nga Senati Akademik.

Reformat kushtetuese erdhën, pas përpjekjes për grusht shteti në vitin 2016.

Reformat e 2017-ës, e kthyen Turqinë, në Republikë Presidenciale. Turqia ka qenë Republikë Parlamentare që nga viti 1923.

Presidenti i Republikës bëhet një figurë qendrore. Ai emëron dhe shkarkon ministrat. Emëron dhe 12 gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese. Të cilët janë të autorizuar për të vendosur mbi rrëzimin e vetë presidentit. Parlamenti shpërndahet nga presidenti.

Pas tre mandateve si kryeministër, Erdogan-i u zgjodh president, në vitin 2014.

Gjatë 92 viteve të fundit, vendi ka kaluar tre Kushtetuta të ndryshme.

E para siguroi terrenin për një regjim laik njëpartiak, ndërsa dy të tjerat u pasuan nga grushte shteti./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore