Sport

Townsend i prish festën United dhe feston si Cristiano Ronaldo


Nuk ka shkuar më shumë se një barazim në shifrat 1-1 sfida mes Manchester United dhe Everton-it. Ndeshja e luajtur në “Old Trafford”, ishte dhe e para për të shtunën në Premier League.

Përballja mes United dhe Everton-it hapi javën e shtatë të Premier League. Të dy skuadrat pas këtij barazimi kanë nga 14 pikë në renditje, po aq sa Liverpool-i kryesues. Por në dallim, skuadra e Jurgen Klopp-it ende nuk e ka luajtur sfidën e javës së shtatë.

United ishte dominant në të dy pjesët e lojës. Zotrimi i topit ishte në favor të “Djajve të Kuq” në masën mbi 70%. Por, saktësia para portës nuk ishte në nivelin e duhur.

Nga 13 gjuajtjet totale të United në drejtim të portës së mbrojtur nga Jordan Pickford-i vetëm gjashtë ishin në kuadrat dhe një shkoi në rrjet.

Në krahun tjetër, miqtë lëshuan 12 gjuajtje në portën e mbrojtur nga David de Gea. Dy ishin në kuadrat dhe një prej tyre ishte fatale për portierin spanjoll.

Goli i parë i takimit u shënua nga vendasit. Anthony Martial shfrytëzoi mjaft mirë një asist nga Bruno Fernandes dhe në minutën e 43 realizoi për United. Gol që do të vuloste dhe shifrat për pjesën e parë të takimit.

Everton-i do të kërkonte dhe gjente golin e barazimit në pjesën e dytë. Andros Townsend-i barazon gjithçka në minutën e 65, pas asistit të Abdoulaye Doucoure.

Townsend-i shënoi dhe festoi me stilin e Cristiano Ronaldo-s “siuuu” pikërisht përpara syve të portugezit. Goli i tij vulosi shifrat përfundmitare të takimit dhe dy skuadrat ndanë nga një pikë.

Ndeshjet e tjera të të shtunës në Premier League:

Chelsea – Southampton

Leeds – Watford

Wolverhampton – Newcastle

Brighton – Arsenal

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore