Lajme

Sveçla: Kosova po kontribuon pozitivisht në de-eskalimin e situatës në veri


Xhelal Svecla

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, nëpërmjet një cicërime në llogarinë e tij në “Twitter”, ka thënë se Qeveria e Kosovës po kontribuon pozitivisht në shtensionimin e situatës në pjesën veriore të territorit të banuar me serbë etnikë dhe kjo dëshmohet me uljen e 50 për qind të forcave speciale policore atje.

Në Bratislavë të Sllovakisë, më 10 korrik, autoritetet kosovare dhe përfaqësuesit e Bashkimit Evropian kishin arritur paraprakisht një ujdi për tërheqjen e 25 për qind të forcave speciale policore nё dhe rreth ndërtesave komunale në katër komunat veriore, ndërsa të enjten janë tërhequr edhe 25 për qind e forcave elitare në këtë pjesë.

“Kosova po zbaton zotimet nga Marrëveshja e Bratislavës dhe po vazhdon të kontribuojë pozitivisht në de-përshkallëzim”, ka shkruar ministri Sveçla në llogarinë e tij, ndërsa ka njoftuar ndjekësit e tij se të premtën (nesër) fillon faza e dytë e reduktimit të numrit të njësiteve speciale të Policisë së Kosovës në dhe rreth objekteve komunale.

Ministri Sveçla ka thënë se pas vlerësimeve të përbashkëta të sigurisë nga Policia e Kosovës, Misioni i BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX) dhe Misionin Paqeruajtës i NATO-s (KFOR), bazuar në pikën dy të Marrëveshjes së Bratislavës, situata në katër komunat veriore pandehet të jetë e qetë.

“Policia e Kosovës ka mbajtur takim me EULEX-in dhe KFOR-in, siç parashihet me pikën dy të Marrëveshjes së Bratislavës. Konkluzioni i vlerësimit të përbashkët të sigurisë është se situata është e qetë. Nga nesër do të ulim prezencën e policisë edhe me 25 përqind në dhe përreth objekteve komunale”.

Diplomatët evropianë po presin që Kosova dhe Serbia të reflektojnë e t’i përmbushin pa vonesa të mëtejshme kërkesat që janë shprehur në deklaratën e 27 vendeve anëtare të BE-ës me 3 qershor të këtij viti për de-eskalimin e situatës në veriun e Kosovës të banuar me serbë etnikë dhe kthimin e normalitetit atje.

Për t’i dhënë fund krizës aktuale, nga BE-ja kanë konsideruar ditë më parë se zgjedhjet e parakohshme duhet të shpallen sa më shpejt në të katër komunat veriore – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – dhe të organizohen në mënyrë gjithëpërfshirëse, pra me pjesëmarrjen e plotë dhe të pakushtëzuar të serbëve.

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal të martën e 1 korrikut ka marrë vendim që të fillojnë procedurat për largimin e katër kryetarëve shqiptarë nga pozita – Lulzim Hetemi, Ilir Peci, Izmir Zeqiri dhe Erden Atiç – nëpërmjet një Udhëzimi Administrativ që mundëson mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore