Lajme

Sveçla kërkon që të zbardhet rasti i plagosjes së policit: Të dyshuarit të ballafaqohen me drejtësinë


Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka kërkuar zbardhjen e rastit të së enjtes ku është plagosur një polic në Klinë gjatë përleshjes me disa persona që po tentonin të kryenin grabitje.

Sveçla, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, ka thënë të dyshuarit do të ballafaqohen me drejtësinë.

“Kërkoj nga njësitet përkatëse zbardhjen sa më të shpejtë të këtij rasti dhe sjelljen e kriminelëve para drejtësisë. Kushdo që në çfarëdo forme tenton të cenojë jetën apo pronën e qytetarëve tanë dhe shtetit tonë do të ballafaqohet me forcën e ligjit”, ka shkruar ai.

Ministri bëri të ditur se gjendja shëndetësore e policit është stabile.

“Nga Drejtori i Policisë jam njoftuar se zyrtari Veselaj pas tretmanit të nevojshëm në QKUK është liruar për në shtëpi. I uroj shërim dhe kthim të shpejtë në detyrë”.

Një zyrtar policor është plagosur në Klinë, teksa ishin duke u përballur me disa hajna që kishin hyrë në shtëpinë e një prifti në Zllakuqan të Klinës.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi.

“Sot në orët e mëngjesit, rreth orës 03:56 stacioni policor në Klinë është njoftuar se në fshatin Zllakuqan në shtëpinë e banimit të priftit kanë hy disa persona”.

“Policia menjëherë ka dalë në vend të ngjarjes dhe me të arritur aty, afër objektit kanë hasur në rezistencë me ç’rast një zyrtar policor është lënduar nga arma e zjarrit”, ka thënë Gashi për rastin.

Që nga përfundimi i luftës së fundit, 20 zyrtarë të Policisë kanë humbur jetën në detyrë.

Rasti i parë ishte regjistruar në shtator të vitit 2001.

Së fundmi, një grup i armatosur, që sipas autoriteteve përbëhet prej rreth 30 personash, sulmuan Policinë e Kosovës në Banjë të Zveçanit më 24 shtator, duke lënë të vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

Me legjislacionin në fuqi, e drejta e kompensimit nga buxheti i shtetit u takon dy kategorive: familjarëve të zyrtarëve policorë që vdesin në detyrë dhe atyre në kryerje të detyrës.

Policia e Kosovës, vazhdon të përballet me mungesën e sigurimeve shëndetësore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore