Lajme

Sindikatat sërish i bëjnë thirrje Qeverisë për Ligjin e Pagave – paralajmërojnë greva e protesta


Një protestë e punëtorëve në Prishtinë.

Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), Atdhe Hykolli, deklaroi se kanë dërguar anëtarë në komisionin që po punon në projektligjin e pagave.

“Ne mendojmë se së shpejti ata do të na thërrasin e do të fillojmë punën në këtë Projektligj që është shumë i rëndësishëm për Ligjin e Pagave”.

Ai konsideron se nëse nuk ka përparim në këtë drejtim zgjidhjet e vetme mbesin veprimet sindikale si greva dhe protestat.

“Të gjitha rrugët që janë sindikale duke e përfshirë edhe grevën edhe protestat e çdo gjë që është sindikale. Mirëpo ne jemi partnerë social me Qeverinë, ne kemi dëshirë që të dialogojmë të ecim përpara. Ligji i Pagave sa është i rëndësishëm për sindikata njashtu është i rëndësishëm edhe për partnerin tonë social Qeverinë e Kosovës”, deklaroi Hykolli për agjencinë e lajmeve Ekonomia Online.

Federata e Sindikatave të Shëndetësisë në protestë para Qeverisë.

Po ashtu, edhe nënkryetarja e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit të Shkencës dhe Kulturës (SBAShK), Vjollca Shala u shpreh se kanë marrë premtime që deri në fund të muajit mars do të përgatitet drafi final i Projektligjit.

“Nëse deri atëherë nuk përgatitet atëherë ne me 2 prill e kemi kongresin dhe në kongres do të vendoset se çfarë më tutje. Ka mundësi natyrisht që të shkohet edhe me veprime sindikale nëse nuk arrihet draftimi i ligjit pagave deri në atë kohë”, thotë Shala

Ajo po ashtu shprehet se mbetet të shihet se çfarë koeficiente do të përcaktohen për punonjësit e arsimit.

“Nga klasa e parë deri në klasën e pestë mësimdhënëse t’iu bëhet barazimi i koeficienteve me ata që janë prej klasës gjashtë deri në klasën e nëntë”.

Ndërsa shtoi se prioritet i tyre është, “kërkesa për koeficientet e psikologëve, pedagogëve pastaj pjesës administrative të universitetit. Kërkesa që kanë qenë në ligjin e mëparshëm të pagave. Akoma nuk kemi informacione sa i përket vendosjes së koeficienteve për punëtorët e arsimit”.

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit dhe Shkencës e Kosovës, Rrahman Jashari.

Edhe nënkryetari i Sindikatës së Infermierëve të Kosovës, Enlirat Duraku theksoi se Sindikata e Infermierëve ka qenë konsistent për një pagë dinjitoze dhe mirëqenie sociale-ekonomike sa më të mirë për profesionistët shëndetësorë.

“Koeficienti 3.2 me koeficientin aktual të pagave. Sindikata e Infermierëve është ftuar në një diskutim publik të organizuar nga Aleanca për Ardhmërisë së Kosovës në Kuvendin e Republikës për Ligjin e Pagave ku edhe aty kemi deklaruar që koeficientet paraprak në ligjin e zhvlerësuar nga Gjykata Kushtetuese”.

Sipas Durakut, profesionistët shëndetësor janë komuniteti më i neglizhuar e i mbingarkuar që nga pas lufta.

“Sigurisht që ka tendenca edhe tjera që kërkesa jonë të mos aprovohet ne sigurisht që do të marrim veprime dhe masa sindikale konform kompetencave që kemi si sindikatë edhe ligjeve që janë në fuqi në Kosovë”.

Ligji për pagat në Kosovë

Qeveria e Kosovës, në vitin 2019 e drejtuar në atë kohë nga kryeministri i Kosovës Ramush Haradianaj, pati dërguar projektligjin për pagat në Kuvend, i cili ishte miratuar.

Ligji parashihet ngritjen e pagave të 70 për qind të shërbyesve civilë. Përmes këtij ligji, një mësimdhënësi të shkollës fillore do t’i rritej paga nga 470 euro në 612 euro, ndërsa një mjeku specialist nga 600 euro në 1 mijë e 195 euro.

Edhe për policinë edhe doganat ishin paraparë ngritje pagash, por jo edhe për zjarrfikësit.

Zjarrfikësit në protestë.

Por, institucioni i Avokatit të Popullit, në dhjetor të po atij viti, e kishte dërguar këtë ligj në Gjykatën Kushtetuese, për siç thuhej, “vlerësimin e përputhshmërisë” së tij me Kushtetutën.

Më 30 qershor të vitit 2020, Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka shpallur të pavlefshëm Ligjin për pagat në sektorin publik.

Sipas vendimit, ligji nuk është në përputhshmëri me 11 nene të Kushtetutës së Kosovës dhe shkakton “çrregullim të ndarjes së pushteteve në disfavor të jyqësorit dhe institucioneve të pavarura”.

Që nga korriku i viti 2019 e deri në mars të vitit 2021, Kosova ka pasur katër qeveri të ndryshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore