Kosova

Simmons: Kuvendi të hetoj sa më parë Eulex-in


Malcolm Simmons- ish gjyqtarë i EULEX-it në Kosovë

Ish-gjyqtari i Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX), Malcolm Simmons, me anë të një postimi në llogarinë e tij në “Twitter”, ka kërkuar nga Kuvendi i Kosovës që të hetoj me shpejtësi misionin e EULEX-it në Kosovë, pasi ai pretendon se ky mision dërgon dosje në Serbi lidhur me krimet e luftës në Kosovë, të cilat edhe manipulohen.

Ai ka renditur në postimin e tij çështjet që duhet të hetohen.

“Çështjet që duhet të jenë objekt i një hetimi parlamentar përfshijnë: 1. EULEX dorëzon në Serbi dosjet e prokurorisë në lidhje me krimet e luftës të kryera në Kosovë; 2. Pretendimet e dokumentuara të ndërhyrjes në gjykimet penale; 3. Pretendimet e dokumentuara të manipulimit të dëshmitarëve të mbrojtur”, ka shkruar ai.

Ish-gjyqtari i EULEX-it prej kohësh është duke kërkuar që të raportojë në Kuvendin e Kosovës për pretendimet e tij, mirëpo një gjë e tillë ende nuk i është mundësuar nga ana e Kuvendit.

Ndërsa të premten në mbrëmje është publikuar në media një pjesë e dëshmisë që ish-gjyqtari i EULEX-it, Malcolm Simmons, planifikonte ta shpaloste në Kuvendin e Kosovës, lidhur me skandalet e pretenduara të misionit të Bashkimit Evropian në Kosovë.

Kurse në adresë të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, një dokument prej 25 faqesh që mban datën e 3 qershorit të vitit 2021 është dërguar nga Malcom Simmons. Ai ka dërguar vetëm një pjesë të dëshmisë së tij për skandalet e kryera nga misioni i Bashkimit Evropian në Kosovë. Këto dëshmi të dërguara në adresë të Kurtit i ka siguruar Radio Televizioni i Kosovës (RTK).

Përveç ndikimeve politike, bashkëpunimit të EULEX-in me prokurorinë serbe në Beograd, Simmons ofron detaje dhe shpreh dilema për punën e Gjykatës Speciale.

Me anë të një letre të hapur që përmban datën 6 qershor, Simmons i ka bërë me dije kryeministrit Kurti, që ka tre muaj që pret të raportojë në Kuvend për skandalet dhe gjykimet e padrejta nga EULEX.

Letra publike drejtuar kryeministrit Kurti nga ish gjyqtari  EULEX-it, Malcolm Simmons

Sipas Simmons, EULEX-i ka shtrembëruar drejtësinë në Kosovë, andaj shpalosja e këtyre provave që ai pretendon se i ka është test i një rëndësie të lartë për drejtësinë vendore dhe ndërkombëtare, por dhe për Kosovën në përgjithësi.

“Qëllimi im është që të jap prova në Parlamentin e Kosovës për mënyrën se si Bashkimi Evropian e ka shtrembëruar drejtësinë në Kosovë. Vendimi për t’i dëgjuar apo jo provat e mia do të jetë një test i rëndësishme për Parlamentin dhe për sundimin e ligjit në Kosovë”, ka shkruar Simmons.

Madje ai në një postim tjetër në llogarinë e tij në “Twitter” ka shkruar se BE-ja përdor standarde të dyfishta në Kosovë.

“Standardet tipike të dyfishta të BE-së. BE-ja shpërfill sundimin e ligjit në Kosovë kur i përshtaten objektivave të saj politikë”. Ai ka thënë se “sundimi i ligjit nuk mund të përdoret si mjet politik”.

Mirëpo ai ka thënë se kur të “jap dëshmi para Parlamentit të Kosovës do të shpjegoj pse këto raste nuk janë hetuar. Dëshmitë në lidhje me shumë krime të luftës të kryera nga persona me etni serbe nuk janë më në dispozicion të autoriteteve të Kosovës”.

 

Që nga viti 2008, Smmons ka punuar si gjykatës në Gjykatën e Kosovës dhe në misionin e BE-së EULEX deri në vitin 2017.

Kurse të premten Gjykata Speciale në Hagë nëpërmjet një njoftimi ka bërë të ditur se më 15 shtator do të fillojë gjykimi ndaj ish komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore