Shqipëria

Si u pesëfishuan brenda vitit kërkesat e shqiptarëve për azil në Britani, shumica nën 30 vjeç


Nuk janë më vendet e Bashkimit Evropian, sa është Mbretëria e Bashkuar.

Bëhet fjalë për vendin e preferuar, për të kërkuar azil nga ana e emigrantëve shqiptarë, të cilët ndërmarrin rrugëtimin e vështirë drejt një shteti tjetër, për të kaluar barrierën e hekurt të një sistemi të tërë, i cili synon përzgjedhjen e atyre, që mund të jetojnë në atë vend.

Të përballur shumë herë me gjuhë denigruese, shpesh edhe me kërcënime se do të depërtohen në Ruandë, në vitin 2022, shqiptarët, të cilët kërkuan azil në Britani, ishin tre herë më shumë se sa ata në vitin 2021.

Kështu reflektojnë shifrat e Zyrës së Statistikave të Emigracionit në Mbretërinë e Bashkuara, të cilat tregojnë se teksa në vitin 2021, numri i kërkesave shkonte në 5 mijë e 147, në 2022-shin, ato janë rritur në 15 mijë e 925.

Kështu, duke lënë pas edhe gjithë kërkesat në vendet e BE-së, të marra së bashku, të cilat arrijnë në 13 mijë e 200.

Ajo çfarë bie në sy më shumë gjithsesi, është fakti se rrugëtimin e zgjedhin ta ndërmarrin të rinjtë, ku nga totali i thuajse 16 mijë aplikimeve vitin e shkuar në Mbretërinë e Bashkuar, 57.77% janë persona të moshës 18-29 vjeç.

Madje, edhe ata nën moshë madhore, më pak se 18 vjeç, janë në kuotën e 13.71%, duke formuar një total thuajse 72% të kërkesave për azil, të cilat vijnë nga shtetas deri në moshën 30-vjeçare.

Në 27.11% ndalen ata në kufirin 30-49 dhe pjesa e mbetur, lidhet me persona mbi moshën 50 vjeç, e cila nuk i kalon 1.4%.

Atributi kryesor për këtë rritje të madhe, i shkon sigurisht edhe faktit se tashmë rruga drejt Anglisë, ajo më e përfolura, lidhet me kalimin e varkave të jashtëligjshme, të cilat kalojnë përmes kanalin e La Manche.

Me daljen e Britanisë nga zona euro, u bë edhe më e lehtë për trafikantët, pasi nuk kishte më kontrolle nga autoritetet franceze, lidhur me mbikëqyrjen e varkave apo gomoneve në dalje të Francës.

Me nënshkrimin e një marrëveshjeje të fundit mes presidentit francez, Emmanuel Macron dhe kryeministrit britanik, Rishi Sunak, pritet një rritje e gatishmërisë për të forcuar kontrollet dhe për të shtuar forcat.

Deri atëherë, motoja mbetet e njëjta: Kush troket në dyert e ishullit, rrezikon deportimin në Ruandë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore