Lajme

ShSKUK-ja për zjarrin në Repartin e Psikiatrisë: Do të ndërmarrim veprime ligjore ndaj përgjegjësve


Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës.

Bordi Drejtues i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK), është mbledhur pas humbjes së jetës të një personi në Klinikën e Psikiatrisë dhe lëndimit të pesë personave pasi njëra nga dhomat ishte kapluar nga zjarri.

Përmes një komunikate për media nga ShSKUK-ja, është thënë se do të bëjnë vlerësimin e gjendjes konform përgjegjësive dhe autorizimeve ligjore.

“Pas diskutimeve, Bordi Drejtues ka kërkuar nga drejtori i përgjithshëm i ShSKUK-së, konform përgjegjësive dhe autorizimeve ligjore të bëjë vlerësim të gjendjes dhe bazuar në kompetencat e tij të ndërmarrë veprimet ligjore ndaj personave përgjegjës”.

“Po ashtu, do të ndërmerren veprime të tjera ligjore, me qëllim të parandalimit të rasteve të tilla”.

Ndërsa nga ShSKUK-ja, është thënë se mbledhja është mbajtur me kërkesë të ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, me pikë të vetme të rendit të ditës ishte ngjarja e fundit e ndodhur në Klinikën e Psikiatrisë.

Të mërkurën një prej dhomave në Repartin e Urgjencës dhe Intensives Psikiatrike në Qendrën e Klinikës Universitare të Kosovës (QKUK), është kapluar nga zjarri ku ka mbetur i vdekur një person.

Lajmi është bërë i ditur përmes një komunikate për media nga Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës.

“Mbrëmë rreth orës 23:00, në Repartin e Urgjencës dhe Intensives Psikiatrike ka ndodhur një zjarr, në njërën nga dhomat e tipit të mbyllur, ku qëndrojnë pacientët përkohësisht, pacientë në gjendje të agresivitetit dhe agjitimit të theksuar psikomotor, jo koshient për gjendjen mendore”.

Nga ShSKUK-ja është sqaruar se janë bërë përpjekje maksimale për ta shpëtuar pacientin por që nuk ja kanë arritur.

“Në të njëjtin Repart, në të njëjtën kohë, dyshohet se një pacient i ka vënë zjarrin në rrethana të panjohura dhomës së tipit të mbyllur, me ç’rast si pasojë e ngulfatjes nga tymi (asfiksioni) ai ka humbur jetën, përkundër përpjekjeve maksimale të stafit shëndetësor për ta shpëtuar pacientin”, ka njoftuar SHSKUK-ja.

I njëjti rast është duke u hetuar edhe nga njësitet përkatëse të Policisë së Kosovës.

Zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti në një përgjigje për Albanian Post ka thënë se për këtë rast edhe prokurori i shtetit, por edhe Policia kanë dalur menjëherë në vendin e ngjarjes.

“Sot rreth orës 00:15, është raportuar se në klinikën e Psikiatrisë në Prishtinë, një dhomë është përfshirë nga zjarri. Policia dhe prokurori i shtetit menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes, po ashtu janë ftuar edhe zjarrfikësit të cilët kanë lokalizuar zjarrin. Si pasojë e zjarrit në këtë rast, një person ka vdekur si dhe pesë të tjerë kanë pranuar tretman mjekësor”, ka thënë zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

Aktualisht policia në koordinim me prokurorinë ka nisur veprimet hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave që karakterizojnë rastin.

Rasti është i cilësuar si zjarrvënie dhe shkaktim i rrezikut të përgjithshëm.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore