Shqipëria

Shqipëria jashtë listës gri të pastrimit të parave, konfirmon Mete


Shqipëria ka dalë nga lista gri e pastrimit të parave.

Lajmi është bërë me dije nga ministri i Financave dhe Ekonomisë, Ervin Mete të premten e 27 tetorit.

“Shqipëria nuk është më në listën gri për pastrimin e parave. Vendimi është marrë sot nga FATF. Ky është lajm inkurajues për të vazhduar luftën kundër pastrimit të parave. Shqipëria u fut në listën gri për pastrimin e parave në shkurt 2020”.

Sipas ministrit, “Task Forca Financiare (FATF) e MONEYVAL është një mekanizëm i përhershëm i Këshillit të Evropës që ka detyrën të vlerësojë zbatimin e standardeve në luftën kundër pastrimit të parave dhe krimit të organizuar”.

Sa i takon projekt buxhetit për vitin 2024, Mete tha se do të miratohet ditën e sotme nga qeveria shqiptare.

“Sot, në një mbledhje të posaçme të Këshillit të Ministrave, do të miratojmë projektbuxhetin 2024, i cili vijon mbështetjen për reformën e pagave, në arsim, shëndetësi, forcat e rendit, të mbrojtjes dhe në sektorë të tjerë. Gjithashtu, projektbuxheti i vitit të ardhshëm mban në nivelin mbi 5% të PBB-së financimin e investimeve publike, jep mbështetje për zhvillimin e turizmit, si edhe vijon mbështetjen për fermerët dhe shtresat në nevojë”.

Nga ana e saj, shefja e misionit të FMN-së, Anke Weber, në konferencën e përbashkët me ministrin e Ekonomisë Ervin Mete dhe me guvernatorin e bankës, Gent Sejko, tha se ekonomia shqiptare ka treguar qëndrueshmëri për shkak të rritjes së fortë të turizmit.

“Patëm diskutime dhe takime shumë të dobishme me ministrin dhe guvernatorin e BSH-së. Ekonomia ka treguar qëndrueshmëri për shkak të rritjes së fortë turizmit. Borxhi është mbajtur nën kontroll duke zbritur në nivelet e para pandemisë. Besojmë se ekonomia ka hapësirë për manovra për sektorin e turizmit dhe do të jetë motori i rritjes së ekonomisë”.

Ajo shtoi se  perspektiva ka pasiguri të madhe dhe tensionet janë një rrezik, si dhe situata energjetike apo lëvizjet e kursit shtojnë pasiguritë.

“Ekziston nevoja për të ruajtur qëndrueshmërinë fiskale. Duhet një strategji të ardhurash afatmesëm, duhen shpenzime më produktive, për të mbrojtur financat publike, dhe zbutjen e rreziqeve fiskale ku përfshihen edhe PPP. Politika monetare duhet të fokusohet tek inflacioni dhe kthimi i tij në objektiv. Kursi i këmbimit i ka shërbyer mirë mbajtjes nën kontroll të inflacionit”.

Moneyval, mekanizmi i Këshillit të Evropës që bën vlerësimin e rrezikut të pastrimit të parave, në raportin e këtij vitit të publikuar disa javë më parë, i ka dhënë notë pozitive Shqipërisë për masat që ka marrë në përmbushjen e angazhimeve në këtë drejtim.

Në raportin e publikuar nga Këshilli i Evropës evidentohet përmbushja e dy rekomandimeve kryesore, 25 dhe 28 të dhëna nga Task Forca e Veprimit Financiar e Moneyval, që lidhen me transparencën dhe pronësisë përfituese si dhe me mbikëqyrjen e bizneseve dhe profesioneve të caktuara jofinanciare.

“Që prej qershorit 2022, Shqipëria ka marrë masa shtesë, duke adresuar mangësitë e rëndësishme në lidhje me administratorët e deleguar që i nënshtroheshin kërkesave për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit dhe aksesin e thjeshtuar në informacionin e pronësisë përfituese për autoritetet kompetente. Për më tepër, Shqipëria ka përmirësuar masat për rregullimin dhe mbikëqyrjen e noterëve dhe agjentëve të pasurive të paluajtshme” shkruhet në raportin e Moneyval që vlerëson progresin e Shqipërisë.

Në këtë kontekst, me përmbushjen e këtyre dy rekomandimeve, sipas Moneyval, Shqipëria ka bërë përparim në adresimin e shumicës së mangësive të përputhshmërisë teknike të identifikuara në Raportin e saj të Vlerësimit të Ndërsjellët të vitit 2018.

Moneyval: Shqipëria, përmirësim në luftën kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore