Shqipëria

Shehaj falënderon mbështetësit, nuk komenton mbi fitoren e Bashës


Kandidati për kreun e demokratëve në Shqipëri, Agron Shehaj, të hënën e 14 qershorit, ka reaguar pas fitores së Lulzim Bashës.

Shehaj ka falënderuar të gjithë mbështetësit e tij për votën që i kanë dhënë dhe vëzhguesit.

“Ju jam mirënjohës juve dhe gjithë qytetarëve që më besuan dhe më mbështetën për të sjellë një frymë dhe qasje të re në politikë”.

I pari që reagoi mbi rezultatin e zgjedhjeve të brendshme të Partisë Demokratike, ishte kandidati Fatbardh Kadilli.

Kadilli më herët u shpreh se gara ishte e padrejtë dhe i konsideroi zgjedhjet brenda partisë si më të këqija se ato parlamentare.

Zgjedhjet e Partisë Demokratike

Të dielën e 13 qershorit u zhvilluan zgjedhjet e brendshme të Partisë Demokratike.

Katër ishin kandidatët që po garonin për marrjen e postit të kryetarit të PD-së, Lulzim Basha, Agron Shehaj, Fatbardh Kadilli dhe e vetmja grua Edith Harxhi.

I pari që iu drejtua kutisë së votimit ishte Basha. Duke pasuar më pas me Kadillin, Harxhin dhe Shehajn.

Fill pas mbylljes së procesit të votimit doli rezultati paraprak ku fitues doli Lulzim Basha me mbi 80% të votave në total.

Mesditën e kësaj dite u konfirmua zyrtarisht se u rizgjodh sërish në krye të demokratëve.

Përkatësisht Basha rezultoi fitues me 81.34% të votave. Ai ka marrë 32 mijë e 845 vota të anëtarësisë së demokratëve.

Pjesa tjetër e votave ndahet midis tre kandidatëve të tjerë, nga të cilët numrin më të madh ka marrë Agron Shehaj, 6 mijë e 38 vota. E dyta pas tij renditet Edith Harxhi, e cila ka fituar 983 vota dhe kandidati i fundit, Fatbardh Kadilli, me 781 vota.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore