Shqipëria

“Basha fitoi padrejtësisht”


Gjatë një konference për mediat, ish-kandidati për kryetar të Partisë Demokratike (PD) dhe anëtar i Kryesisë së kësaj partie, Fatbardh Kadilli, është shprehur që gara ishte e padrejtë.

“Ofruam një garë, por jo standarde”, tha ai, ndërkohë që i konsideroi zgjedhjet brenda partisë si më këqija se ato parlamentare.

Në vijim tha se, edhe pse Basha fitoi, nuk e ka uruar për fitoren, për vetë faktin se “gara nuk ishte e drejtë”.

“Po të ishte gara e drejtë”, theksoi ai, “do ta uroja”. Gjithsesi, Kadilli është shprehur se e pranon rezultatin e zgjedhjeve.

“Kësaj here kontributi im në këtë parti”, u shpreh Kadilli, “do të jetë si partner dhe jo më si mbështetës, siç ishte dy mandatet e para”.

Anëtari i kryesisë nuk u shpreh se nuk trembet nga një largim prej PD-së. Kjo, sepse sipas tij, është anëtar “që në ditën 0 dhe kam kontribuar shumë në këtë parti”.

Zgjedhjet brenda PD-së

Votimet për kryetarin e ri të Partisë Demokratike u mbyllën të dielën, në orën 19:00. Rezultati i zgjedhjeve nxori qartësisht fitues kreun aktual të demokratëve, Lulzim Basha, me mbi 80% të votave tërësore.

Në shifra konkrete, Basha rezulton fitues i 81.34% të votave. Ai ka marrë 32 mijë e 845 vota të anëtarësisë së demokratëve. Ndjek Agron Shehaj me 6 mijë e 38 vota, Edith Harxhi me 961 vota dhe Fatbardh Kadilli me 763 të tilla.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore