Shqipëria

SPAK firmos urdhërarreste për zyrtarë të Kadastrës, dy në burg


Me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme (SPAK) janë firmosur disa urdhër-arreste për veprën penale të ushtrimit të ndikimit të paligjshëm.

Kjo në vijim të hetimeve që SPAK ka nisur për Kadastrën.

Kështu sipas informacioneve paraprake në pranga kanë rënë dy persona: Dritan Stoka dhe Agim Osmani, kryeplak i Saukut.

Nga ana tjetër për ish-zyrtarin e Kadastrës Alqi Hajdin u vendos masa e sigurisë arrest në shtëpi dhe për Ylli Baruti masën detyrim paraqitje.

Prokurori që ka firmosur urdhër-arrestet është Ened Nakuçi.

Ndërkaq – vetëm disa ditë më parë – një aksion u zhvillua në Kadastër, Durrës, ku pesë persona janë arrestuar ndërsa dy të tjera janë shpallur në kërkim.

Një prej personave të shpallur në kërkim është edhe ish- zëvendësdrejtori i këtij institucioni.

Ndërkohë që nëntë të tjerë janë nën masën e sigurisë detyrim për paraqitje.

Operacioni u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës.

U ekzekutuan masa e sigurisë “Arrest në burg” për pesë shtetas dhe vijon puna për kapjen e dy shtetasve të tjerë, të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë tjetërsuar dokumentet e një toke me sipërfaqe 151 mijë m2, në lagjen nr. 15, Durrës.

Gjithashtu u ekzekutua masa e sigurisë “Detyrimi për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore”, për nëntë shtetas të tjerë.

Ndërkaq u vendos në sekuestro preventive për pasurinë e paluajtshme me sipërfaqe 151 mijë m2, që dyshohet se është përfituar nga dy shtetas (njëri i arrestuar dhe babai i një të arrestuari tjetër).

                                          

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore