Shqipëria

Zyrtare: Basha fitoi


Kryetari i Komisionit Zgjedhor në Partinë Demokratike (PD), Jemin Gjana, në konferencë për shtyp ka njoftuar se është përmbyllur rezultati i përgatitjes dhe deklarimit rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve për kryetar në PD.

Rezultati i certifikuar nxjerr fitues Lulzim Bashën me 32 mijë e 882 vota.

Ndërsa pjesa tjetër e votave ndahet midis tre kandidatëve të tjerë, nga të cilët numrin më të madh ka marrë Agron Shehaj, 6 mijë e 38 vota. E dyta pas tij renditet Edith Harxhi, e cila ka fituar 983 vota dhe kandidati i fundit, Fatbardh Kadilli, me 781 vota.

Sipas tij, janë depozituar 76 kuti dhe janë regjistruar të dhënat në procesverbale.

“Vota të pavlefshme kanë rezultuar 413, ndërsa vota të vlefshme 40 mijë e 684 vota të ndara sipas kandidatëve”.

Kështu, Basha rikonfirmohet si kreu i demokratëve, me një fitore të ngjashme me atë përballë Sokol Olldashit në vitin 2013, kur ai fitonte me 80% të votave. Por, tashmë, 20%-shi i mbetur ndahet midis tre kandidatëve të tjerë.

Si kanë votuar demokratët shqiptarë në zona të ndryshme?

Numri më i lartë i anëtarësisë së demokratëve është i përqendruar në Tiranë. Në gjithë njësitë administrative të Tiranës vihet re një fitore e thellë e kryedemokratit.

Qarku i Durrësit, po ashtu, e sheh kryedemokratin në epërsi të thellë votash ndaj tre rivalëve të tij.

Një qark surprizë është ai i Vlorës, ku në disa njësi administrative, Shehaj ka epërsinë ndaj Bashës.

Kështu, në Selenicë, Shehaj kryeson ndaj Bashës me disa vota momentalisht. Shumë pranë është edhe zona e Himarës. Madje, edhe në zonën e qytetit të Vlorës, diferenca midis të dyve është thuajse e papërfillshme.

Kandidatët e tjerë, Harxhi dhe Kadilli, nuk janë gjë tjetër veçse efekte anësore në këto votime, të cilët rivalitetin kryesor kanë parë atë Basha-Shehaj.

Ndër zonat e tjera, ku vlonjati ka një performancë të mirë, janë ato të Fierit, Gjirokastrës, Korçës dhe Elbasanit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore