Shqipëria

Konventa e Lirisë – Meta shndërron partinë për të dytën herë në po aq vjet


Mes debateve brenda partisë dhe sulmeve ndaj drejtësisë, Partia e Lirisë do të mbledhë këtë të shtunë të 26 prillit forumin më të lartë, Konventën Kombëtare.

Ashtu siç e ka paralajmëruar prej kohësh kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta – i cili ka nisur një spastrim brenda selisë së tij – konventa do të sjellë ndryshime rrënjësore, siç është statuti.

Ajo, tashmë, nuk do të ketë më kryetar, por një president.

Post i cili do të mbahet nga vetë Meta edhe pse formalisht ai do të vihet përballë garës me Faik Bashën, kryetar i degës së Kamzës dhe Myrvete Asqerinë, anëtare e Komitetit Drejtues Kombëtar të Partisë së Lirisë.

Në rolin e zëvendëspresidentes është propozuar Erisa Xhixho, e cila do të mbajë edhe postin e sekretares politike për qarkun Tiranë.

Kurse Tedi Blushi do të mbajë postin e Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë së Lirisë.

Në Konventë pritet të votohen 18 emrat e kryesisë së re me në krye: Edmond Haxhinasto, kryetar i Komitetit drejtues Kombëtar.

Forumi është i dyti në një hark kohor dy-vjeçar. Kjo pasi me 25 korrik 2022, pas përmbushjes së mandatit kushtetues si president, Ilir Meta u rikthye në Lëvizjen Socialiste për Integrim, ku pasi u votua si drejtues ia ndërroi emrin në Partia e Lirisë.

Sipas informacioneve paraprake konventa do të nisë në orën 10:00 në Pallatin e Kongreseve, i cili do të ketë një dekor Kuq e Zi dhe do të nisë me himnin kombëtar të flamurit.

Nga Partia e Lirisë është bërë me dije se në Pallatin e Kongreseve do të jenë 931 delegatë dhe mbi 2 mijë të ftuar.

“Pensionistët janë kryefjala e Programit tonë, ndaj do të kemi mbi 300 pensionistë të nderuar nga të gjitha trevat e vendit, veteranë të Luftës Antifashiste, pasardhës të tyre dhe familjarë të Heronjve e Dëshmorëve të rënë për lirinë e Shqipërisë”, u tha nga PL-ja.

Por përpos agjendës së mirëpërcaktuar vëmendjen do ta marrë “lufta e brendshme” në seli.

“Do të godasim nepotizmin në parti sepse ka qenë një shqetësim dhe problem i madh. Do t’i japim goditje krahinalizmit dhe do jemi partia më demokratike në Shqipëri, më e organizuara dhe më e fuqishme sa i takon ekzekutimit”, paralajmëroi Meta ditë më parë.

Ai e cilësoi udhëheqjen e bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi, në krye të Lëvizjes Socialiste për Integrim, si një lidership kakofonik.

Në përballjen e tyre të parë në publik në Komitetin Drejtues Kombëtar Kryemadhi i është përgjigjur në lidhje me nepotizimin në parti.

“Të vendoset pikë staturore që buxheti i fushatave elektorale të jetë i qartësuar qartë në statut në përdorim për të gjitha gratë dhe vajzat kandidate që do të jenë kandidate në këshillin kombëtar. Po dëgjojmë vetëm nepotizëm prej 2 javësh. Do tu isha mirënjohëse të më përcaktonin se çdo të thotë fjala nepotizmi në partinë politike. Parti politike do të thotë bashkim kombëtar dhe nuk ka asnjë fjalë në ligjin për partitë politike për nepotizëm. Personat që e kanë hartuar të më argumentojnë fjalën nepotizëm. Në një parti politike rëndësia më e madhe është meritokracia”.

Por kjo nuk e ka ndalur Metën që të mos e përfshijë ish-nënkryetarin e Partisë së Lirisë, Endrit Braimllari, – i konsideruar si një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Kryemadhit – në listën e Kryesisë së re.

Pasi të votohet si president i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, së bashku me Kryesinë e tij do të rreshtohen në mitingun demokrat.

E gjitha do të përfundojë me marrjen e “bekimit” poshtë dritares së Sali Berishës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore