Zgjedhjet në Shqipëri

SHBA: Zgjedhjet të mira, por të hetohen krimet zgjedhore


Misioni i SHBA-ve në OSBE e ka përgëzuar popullin shqiptar për angazhimin aktiv në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, ku fituese u shpall Partia Socialiste.

“Ne përgëzojmë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për mbajtjen e një procesi zgjedhor të mirëorganizuar dhe në mënyrë transparente, pavarësisht nga sfidat e paraqitura nga pandemia, apo zbatimi i teknologjive të reja”, cilësohet në deklaratë.

Sistemi elektronik është veçuar gjithashtu si i mirë dhe lehtësim për të luftuar votimin e dyfishtë. Një përgëzim ka ardhur edhe për partitë, të cilat kanë qenë të gjitha pjesëmarrëse në zgjedhje.

Sipas raportit, kjo tregon angazhimin e Shqipërisë për zhvillimin e saj. Këtu, futen edhe ndryshimet në Kodin Zgjedhor.

Nga ana tjetër, disa vërejtje përmenden po ashtu gjatë raportit. Ndër to, është edhe hyrja e partisë në pushtet, me kontrollin e gjithë administratës lokale. Ky pushtet ka ardhur në duart e socialistëve, pas braktisjes së zgjedhjeve lokale nga opozita.

Përpos kësaj, SHBA-të janë gjithashtu në pritje të njoftimeve nga Prokuroria e Posaçme SPAK, mbi hetimin e krimeve zgjedhore.

“SHBA-të shpresojnë se në raportin përfundimtar të ODIHR Shqipëria ta përdorë për të përmirësuar më tej proceset zgjedhore. Do të vazhdojmë të bashkëpunojmë me Qeverinë Shqiptare për të forcuar më tej bashkëpunimin tonë në demokraci, mbrojtje dhe tregti”, përmbyllet raporti.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore