Lajme

SHBA-të nuk kërkojnë largimin e Putin-it, thotë Biden


Presidenti amerikan Joe Biden deklaroi në një shkrim të botuar të martën se Shtetet e Bashkuara nuk do të përpiqen të largojnë presidentin rus Vladimir Putin nga posti i tij.

Kjo, për shkak të pushtimit të Ukrainës nga Federata Ruse.

“Ne nuk kërkojmë një luftë mes NATO-s dhe Rusisë. Sado që nuk pajtohem me zotin Putin dhe i konsideroj veprimet e tij një shkelje, Shtetet e Bashkuara nuk do të përpiqen të sjellin rrëzimin e tij në Moskë”, shkroi Biden.

Opinioni i tij u publikua në gazetën amerikane “New York Times”.

Sipas Biden-it, për sa kohë që SHBA-të ose aleatët e saj nuk sulmohen, qeveria amerikane nuk do të angazhohet drejtpërdrejt në këtë konflikt.

Presidenti amerikan qëndroi i vendosur në premtimin e tij për të mos dërguar trupa amerikane për të luftuar drejtpërdrejt në konflikt.

Biden bëri bujë me deklaratën e tij në Varshavë në fund të marsit se Putin “nuk mund të qëndrojë në pushtet”.

Ndërsa Shtëpia e Bardhë kërkoi të pastronte vërejtjen e paplanifikuar duke thënë se SHBA-të nuk po kërkonin ndryshimin e regjimit në Rusi.

Por, Biden u qëndroi komenteve të tij dhe nënvizoi disa ditë më pas se po shprehte “zemërim moral”.

Në artikullin e NYT-së, Biden njoftoi gjithashtu planet për të dërguar sisteme më të avancuara raketash në Ukrainë.

Për kreun e shtetit, qëllimi i SHBA-ve ishte të siguronte një “Ukrainë demokratike, të pavarur, sovrane dhe të begatë”.

Biden u zotua gjithashtu se nuk do t’i bënte presion qeverisë së Ukrainës “privatisht apo publikisht” për t’i bërë lëshime territoriale Moskës.

Kjo, në mënyrë që t’i jepte fund luftës, e cila do të hyjë në ditën e saj të 100-të – në fund të javës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore