Lajme

Serbi: “Mediat e etiketuara nga Twitter si pro-qeveritare janë makinë propagande”


Twitter

Mediat serbe të cilat rrjeti social Twitter i ka etiketuar si “media që bashkëpunojnë me shtetit” kanë zgjuar debat shoqëror në Serbi e në rajon mbi atë se sa këto media me të vërtetë e përmbushin qëllimin profesional që e kanë, e cila është informimi i saktë dhe i drejtë i qytetarëve.

Gazetari i BIRN, Radmillo Markoviç konsideron se këto etiketa që Twitter ka vendosur mbi disa media “nuk do t’u lë ndofarë pasoje atyre”, ndërsa vetë konsideron se disa informacione me peshë e të rëndësishme “janë të ndaluara dhe të kontrolluara në Radio Televizionin shtetëror të Serbisë”.

Profesori serb i Teorisë Politike në Fakultetin e Shkencave Politike në Beograd, Rade Veljankovski, konsideron që reagimi i djeshëm i Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ndaj këtij veprimi nga ana e Twitter ishte “absurd dhe i ulët përnga dinjiteti”, por që megjithatë, shprehet ai, “Nuk ka pavarësi absolute të medias. Ne të gjithë e dimë që CNN anon kah Demokratët në ShBA, kurse Fox kah Republikanët”, por se kjo është tejet larg “asaj që ne vërejmë në vendin tonë”.

Ndërsa për ironinë e cenzurës që bëri dje Vuçiç ndaj Twitter, gazetari i BIRN, Markoviç u shpreh se “cenzurë ka bërë edhe Vuçiç sa ishte ministër i Informacionit – redaktorët i kanë sjellur atij gazetat”.

Kur Twitter ka vendosur përfundimisht t’u ngjesë etiketa këtyre medieve, konsideron Markoviç, ata kanë pasur ndërmend “bashkëpunim permanent, të përhershëm, gjë që këto media i bën mekanizëm propagande qeveritare. Ky nuk është ‘bashkëpunim ose lidhje’ që i lejohet mediave profesionale”.

Në një bisedë për agjensionin televiziv të lajmeve N1 në Serbi, Markoviç cilësoi se kjo gjë nuk i dëmton këto media, sepse ato, megjithatë, nuk heqin dorë nga “të qënit dominues në treg, dhe të fitojnë ndaj konkurrencën e institucioneve shtetërore, edhe pse këto qartazi shkelin çdo kod etik”.

Kurse, profesori i teorisë politike, këtë “konkurrencë të institucioneve politike” e përcakton si “keqpërdorim tipik të fondeve për projekte të interesit publik”.

“Vetëm shihni se me çfarë pasioni dhe vrulli autoritetet mbështesin këta media”.

Mediet e Serbisë, sipas tyre, sjellin lajme të “mediuara”, pra, të ndërmjetësuara, dhe që janë të “përtypura dhe të përthurrura”, për t’iu “përshtatur”, autoriteteve serbe.

Twitter ka demaskuar disa nga mediet dhe gazetat më të njohura në Serbi, duke vënë në profilet e tyre etiketën e “Media e lidhur me shtetin”.

Kjo etiketë, siç shpjegohet nga gjigandi i rrjeteve sociale, Twitter, vendoset kur “Një shtet ushtron kontroll mbi përmbajtjen redaktoriale përmes burimeve financiare dhe presionit direkt ose indirekt politik”.

Mediat që Twitter ka klasifikuar dhe renditur si të tilla janë të përditshmet serbe si Sprski TelegrafKurirInformer dhe Politika, dhe kanalet transmetuese televizive si TV HappyPrva TV dhe B92, portalin online të RTV Pink, si dhe agjensinë e lajmeve Tanjug.

Twitter e përkufizon përcaktimin e medieve të lidhura aty “ku shteti ushtron kontroll mbi përmbajtjen editoriale përmes burimeve financiare, presioneve të drejtpërdrejta ose të tërthorta politike dhe/ose kontroll mbi prodhimin dhe shpërndarjen. Llogaritë që i përkasin subjekteve mediatike të lidhura me shtetin, kryeredaktorët e tyre dhe/ose stafi i tyre i lartë mund të etiketohen”.

Vitin e kaluar, Twitter fshiu 8,558 llogari të përfshira në “veprimtari të koordinuar jo autentike” – rreth 43 milion cicërima në Twitter që kritikonin opozitën serbe, mediat e pavarura dhe individët që kritikonin presidentin Aleksandar Vuçiç dhe sundimin e tij të Partisë Përparimtare.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka ironizuar me këtë veprim të Twitter duke e quajtur si “lavdërim i këtyre medieve”

“Nuk e kuptoj pse shqetësoheni për këtë gjë. Me kë tjetër do të punojnë ato? Me tajkunë, hajdutë e kriminelë? Është gjëra më normale që ato të bashkëpunojnë me qeverinë. Ne as nuk i paguajmë ato”, ka thënë Vuçiç.

“”Kjo çon në një pyetje tjetër, kush është censori i vërtetë, ata do të donin të ishin censurues, kështu që mezi pres që llogaria ime të përjashtohet, të jem një Trump tjetër në botë”, tha ndër të tjera Vuçiç.

Ndërsa edhe kryeministrja e Serbisë, Ana Bërrnabiç, i ka qëndruar konform presidentit të saj duke thënë se kjo gjë “mbi të gjitha shpërfaqë hipokrizinë e atyre që predikojnë vlera që i shkelin çdo ditë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore