Lajme

Rumania e shpall vepër penale krijimin llogarive fallco në mediat sociale


Gjykata në Rumani e ka bërë vepër penale krijimin e një llogarie me emër të një personi tjetër, në mediat sociale.

Hapja e një llogarie në emër të një personi, pa pëlqimin e tyre, është një “krim falsifikimi”, tha Gjykata e Lartë e Drejtësisë dhe e Kasacionit.

Kjo vjen pas një rasti në Braşov, në dhjetor 2018, kur një burrë kishte kërcënuar ish të dashurën e tij me ngarkimin e fotove komprometuese.

Gruas i ishte thënë, që nëse ajo nuk do të rifillonte lidhjen e tyre, fotografitë e zhveshura të saj do të publikoheshin në internet.

Burri më vonë krijoi një profil në internet me emrin e gruas në një faqe për të rritur, ku ai ngarkoi video seksuale të të dyve.

I dyshuari fillimisht u dënua me tre vjet e tetë muaj burg për akuzat e shantazhit, falsifikimit dhe shkeljes së privatësisë, një vendim i mbështetur tani nga gjykata e lartë.

“Në thelb, nëse dikush pretendon të jetë dikush tjetër në mediat sociale dhe mund të provohet se ata e përdorën profilin për qëllimin e krijimit të pasojave ligjore, atëherë ata do të akuzohen për veprën penale të falsifikimit kompjuterik dhe të sanksionohen në përputhje me rrethanat,” tha Monica Statescu, një avokate rumune e specializuar në sigurinë kibernetike.

Gjykata vuri në dukje dy kritere penale në veçanti. Atë të aktit të futjes së të dhënave kompjuterike pa pëlqimin e dikujt dhe nëse ai veprim rezulton në të dhëna që nuk korrespondojnë me të vërtetën.

Statescu tha se vendimi ishte tani i detyrueshëm për të gjitha gjykatat në Rumani.

Ligjet në lidhje me mediat sociale

Vitin e kaluar, Rumania miratoi gjithashtu një ligj të ri që njeh ngacmimin kibernetik si një formë të dhunës në familje, ku ajo synon të “turpërojë, përulë, të trembë, kërcënojë ose të heshtë viktimën”.

Ky ligj përfshinte kërcënime ose mesazhe në internet, ose kur një partner dërgon përmbajtje grafike intime pa pëlqimin e personit tjetër.

Shumë media sociale, si Facebook dhe Twitter, kanë politika të vendosura për të parandaluar krijimin e profileve false.

“Llogaritë në Twitter që paraqiten si një person tjetër, markë ose organizatë në një mënyrë konfuze ose mashtruese mund të pezullohen përgjithmonë nën politikën e falsifikimit të Twitter”, deklaron kompania. Ajo shton se parodia, komentet dhe llogaritë e tifozëve janë të lejuara.

Ndërkohë Facebook nuk lejon llogari fallco të personave të tjerë, veçanërisht nëse ata përdorin fotot e tyre me “qëllim të qartë për të mashtruar të tjerët”.

“Politikat tona të autenticitetit kanë për qëllim krijimin e një ambienti të sigurt ku njerëzit mund të besojnë njëri-tjetrin,” thotë kompania.

Vendet e tjera të Bashkimit Evropian.

Vende të tjera të BE kanë gjithashtu të jashtëligjshme “falsifikimin” e identitetit në internet, duke përfshirë Belgjikën dhe Francën.

Në vitin 2007, një italian u shpall fajtor për krijimin e një letërnjoftimi të rremë në internet. Ai e përdori letërnjoftimin për të ofruar mundësi të rreme pune dhe për të fituar akses në të dhënat personale të aplikuesve. Gjykata e Kasacionit Italian e dënoi individin me 10 muaj burg për shkelje të kodit penal të vendit.

“Në përgjithësi vendet anëtare kanë legjislacion të ngjashëm që rregullon krimin kibernetik,” tha Statescu.

“Megjithëse disa prej tyre nuk inkriminojnë në mënyrë specifike vjedhjen e identitetit në internet, ata kanë dispozita të përgjithshme të krimit kibernetik që mbulojnë nën qëllimin e tyre vjedhje të identitetit në internet.”

“Është e diskutueshme nëse pronarët e platformave sociale janë në gjendje ose duhet të mbajnë përgjegjësi për politikat e platformës dhe nëse po, deri në çfarë mase ata duhet ta bëjnë këtë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore