Shqipëria

Rrugë e lirë drejt 10 vendeve të BE-së për shqiptarët e vaksinuar


Rrugët e udhëtarëve nga Shqipëria, deri më tani, janë të hapura në dhjetë vende të Bashkimit Evropian (BE), të cilat, përveç vaksinave të miratuara nga Agjencia Evropiane e Barnave (EMA), njohin dhe atë të kompanisë kineze Sinovac.

Në vendin tonë, që nga fillimi i procesit të vaksinimit në krye të këtij viti dhe, më pas, me vaksinimin masiv më 1 gusht, janë vaksinuar 1 milionë e 783 mijë e 984 qytetarë me njërën nga dozat e vaksinës.

Vaksinat e përdorura në Shqipëri janë: AstraZeneca, Pfizer, Sinovac dhe Sputnik V, ndërsa ato që njihen nga EMA janë: AstraZeneca, Pfizer/BioNTech, Moderna dhe Janssen.

Më herët, 27 vendet e BE-së kanë bërë me dije se kushdo, që disponon dhe është i vaksinuar, mund të udhëtojë lirshëm – pa iu nënshtruar kufizimeve të shkaktuara nga pandemia – me njërën nga katër vaksinat e njohura nga EMA.

 

Në të kundërt, udhëtarët duhet të paraqesin tamponin negativ dhe t’i nënshtrohen një karantine pesëditore.

Megjithatë, Komisioni Evropian u ka lënë shteteve anëtare lirinë për të vendosur edhe për ata që kanë inokuluar lloje të tjera vaksinash.

Të martën e 8 tetorit, listës së nëntë vendeve të BE-së që njohin vaksinën kineze, përveç atyre nga EMA, iu bashkua edhe Norvegjia.

Norvegjia u çeli në këtë mënyrë rrugën shqiptarëve, që janë vaksinuar me dy dozat Sinovac, të udhëtojnë lirshëm drejt këtij shteti.

Deri më 8 tetor, mbi 800 mijë qytetarë në Shqipëri janë të vaksinuar me dy doza.

Vendet, të cilat kishin njohur më parë vaksinën kineze, ishin: Austria, Qipro, Finlanda, Greqia, Islanda, Holanda, Spanja, Suedia dhe Zvicra.

Sipas të dhënave zyrtare, Shqipëria administron rreth dy milionë vaksina.

Në kuadër të fushatës “Shqipëria Buzëqesh”, procesi i vaksinimit vijon, ndërsa apeli i Qeverisë për qytetarët është vetëm një: vaksinohuni për të mënjanuar fatalitetet!

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore