Lajme

Roli i ndryshimit të klimës në valët e të nxehtit të korrikut është “dërrmues”


Ndryshimi i klimës ka luajtur një rol “absolutisht dërrmues” në valët ekstreme të të nxehtit që kanë përfshirë Amerikën e Veriut, Evropën dhe Kinën këtë muaj.

Kështu rezulton sipas një vlerësimi të ekspertëve të fushës.

Gjatë gjithë korrikut, moti ekstrem ka shkaktuar kërdi në të gjithë planetin, me temperaturat që thyen rekorde në Kinë, SHBA dhe Evropën Jugore, duke shkaktuar zjarre në pyje, mungesë uji dhe një rritje të pranimeve në spitale të lidhura me nxehtësinë.

Gjatë fundjavës, mijëra turistë u evakuuan nga ishulli grek i Rodosit për t’i shpëtuar zjarreve të shkaktuara nga një valë të nxehti rekord.

Pa ndryshimet klimatike të shkaktuara nga njeriu, ngjarjet këtë muaj do të kishin qenë “jashtëzakonisht të rralla”, sipas një studimi nga World Weather Attribution, një ekip global shkencëtarësh që shqyrton rolin e luajtur nga ndryshimet klimatike në mot ekstrem.

“Temperaturat evropiane dhe të Amerikës së Veriut do të ishin praktikisht të pamundura pa efektet e ndryshimeve klimatike”, ka thënë Izidine Pinto nga Instituti Meteorologjik Mbretëror i Holandës, një nga autorët e studimit.

Sipas ekspertit, në Kinë kishte rreth 50 herë më shumë gjasa të ndodhte në krahasim me të kaluarën.

Ekipi World Weather Attribution vlerësoi se rritja e përqendrimeve të gazit serrë e bëri valën e nxehtësisë evropiane 2.5 Celsius më të nxehtë se sa do të ishte ndryshe.

Po ashtu rritën valën e të nxehtit të Amerikës së Veriut me 2 gradë Celsius dhe atë në Kinë me 1 gradë Celsius.

Përveç ndikimit të drejtpërdrejtë në shëndetin e njeriut, nxehtësia ka shkaktuar dëme në shkallë të gjerë të të korrave dhe humbje të bagëtive, me të mbjellat e misrit dhe sojës në SHBA, bagëtinë meksikane, ullinjtë e Evropës Jugore dhe pambukun kinez të gjithë të prekur rëndë.

Mbase El Nino ka kontribuar në nxehtësinë shtesë në disa rajone, por rritja e gazeve serrë ishte faktori kryesor, kanë theksuar shkencëtarët.

Dhe se valët e të nxehtit do të bëhen gjithnjë e më të mundshme nëse emetimet nuk ulen.

Ata vlerësuan se periudha të zgjatura të nxehtësisë ekstreme ka të ngjarë të godasin çdo dy deri në pesë vjet nëse temperaturat mesatare globale rriten 2 gradë mbi nivelet para-industriale.

Temperaturat mesatare aktualisht vlerësohet të jenë rritur më shumë se 1.1 gradë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore