Kosova

Rohde: Pyes veten nëse Lista Serbe do të ndalet së heshturi për sulmin në Banjskë


Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde.

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, është shprehur kureshtar për të ditur nëse Lista Serbe do të thyejë heshtjen dhe do të dënojë sulmin e së dielës ndaj Policisë së Kosovës, ku mbeti i vrarë edhe rreshteri Afrim Bunjaku.

Rohde përmes një shkrimi në platformën ‘X’, ka thënë se e gjithë bota është tronditur nga ngjarjet që ndodhen të dielën.

“Ashtu si e gjithë bota është tronditur dhe dënoi ngjarjet e djeshme: Pyes veten nëse edhe Lista Serbe do ta ndalë heshtjen dhe do të na bashkohet të gjithëve në qëndrimin tonë të qartë kundër këtij sulmi vrasës ndaj Policisë së Kosovës”, ka shkruar ai.

Një pjesëtar i Policisë së Kosovës u vra, një u plagos dhe një tjetër u lëndua, pas një sulmi terrorist nga persona të armatosur në Banjskë të Zveçanit, rreth orës 3 të mëngjesit të së dielës.

Organet e rendit konfirmuan se tre sulmues janë vrarë dhe gjashtë të tjerë janë arrestuar, dy prej tyre të uniformuar dhe katër të tjerë që ndihmonin në operacion përmes radiolidhjeve.

Derisa pjesëtarët e tjerë të grupit terrorist dyshohet se janë arratisur duke kaluar në territorin e Serbisë.

Policia e Kosovës është duke vazhduar operacionin edhe gjatë së hënës.

Sipas informacioneve të fundit, Policia ka gjetur prova të reja, pajisje e materiale që janë konfiskuar në orët e fundit nga vendi i ngjarjes në të cilin për orë të tëra gjatë ditës së djeshme pati shkëmbime me armë zjarri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore