Sport

Real Madrid-i po përgatit padi kundër Tebas-it dhe CVC-së


Real Madrid-i ka vendosur të ngrejë padi kundër “CVC Capital Partners” dhe ligës spanjolle të futbollit të drejtuar nga Javier Tebas, mbi marrëveshjen e sponsorizimit me vlerë 2.7 miliardë euro.

Në bazë të marrëveshjes, klubeve të La Liga dhe La Liga 2 do t’u shpërndahen 2.7 miliardë euro hua, të cilat mund t’i shlyejnë për 50 vjet, ndërsa CVC do të ketë të drejtën të marrë 10% të të ardhurave komerciale të ligës.

“Bordi i drejtuesve të Real Madrid CF, i cili u mblodh sot (të martën) në orën 11:00, vendosi njëzëri të fillojë veprime juridike civile dhe penale kundër presidentit të La Liga, Javier Tebas Medrano dhe kundër Javier de Jaime Guijarro, kreut të fondit CVC Capital Partners”, thuhet në deklaratën e klubit madrilen.

“Bordi i drejtuesve gjithashtu vendosi të ndërmarrë veprime ligjore që konsiderohen të përshtatshme për të anuluar çdo marrëveshje të miratuar nga Asambleja e La Liga, e cila do të mbahet më 12 gusht 2021, në lidhje me marrëveshjen midis LaLiga dhe fondit CVC”.

Nga klubet e La Liga vetëm Real Madrid-i dhe Barcelona janë shprehur haptazi kundër, ndërsa klubet e tjera po mendojnë sesi t’i shpenzojnë paratë.

Marrëveshja detyron klubet që 70% e shumës të përdoret në përmirësimin dhe modernizim e infrastrukturës së klubeve, qendrave stërvitore e deri tek objektet e lojërave.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore