Sport

Reagon Sergio Ramos pasi nuk u ftua nga Spanja


Ylli i Real Madrid-it, Sergio Ramos, nuk do ta përfaqësojë Spanjën në Kampionatin Evropian “Euro 2020” që do të fillojë më 13 qershor.

Në konferencën për media, trajneri i Spanjës, Luis Enrique, tha se nuk e kishte ftuar Ramos-in për arsye se ai pati probleme me lëndime.

I menjëhershëm ishte edhe reagimi i Sergio Ramos, i cili përmes një postimi në instagram, e mirëpriti mos ftesën e trajnerit të tij.

“Kisha disa probleme fizike të cilat më përcollën tash e ca muaj. Jam munduar shumë që të jem 100 për qind për Realin dhe kombëtaren, mirëpo gjërat nuk shkuan ashtu siç dëshiruam”, tha Sergio Ramos.

“Më dhëmb kur nuk mund të ndihmoj skuadrën dhe të mbroj Spanjën, por në këtë rast, është më mirë të pushoj, të rikuperohem plotësisht, dhe vitin tjetër të rikthehem ashtu siç kam bërë gjithmonë”, shtoi ai.

Në fund 35-vjeçari i uroi fat kombëtares së tij, duke iu ofruar përkrahjen e tij.

“Më dhemb kur nuk mund të përfaqësoj vendin, por duhet të jem i sinqert. Iu uroj fat të gjithë bashkëlojtarëve dhe shpresoj të kenë një Kampionat Evropian të madh, do t’i mbështes nga shtëpia”, përfundoi Sergio Ramos.

Kujtojmë që Ramos është pjesë e Kombëtares së Spanjës, që nga viti 2005, i cili ka realizuar 180 paraqitje duke shënuar 23 gola.

Ndërsa me Spanjën ai ka fituar dy herë Kampionatin Evropian dhe një herë Kupën e Botës.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore