Lajme

Rakiç i viziton serbët e plagosur: S’ia falim kurrë


Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiç, ka vizituar dy të rinjtë serbë që u plagosën të premten në Shtërpcë, derisa ka shtuar se “ka një mesazh për të gjithë ata që nuk duan serb në këto zona”.

“Ne nuk do t’i harrojmë kurrë fëmijët tuaj dhe nuk do t’ju falim kurrë për atë që keni bërë dje. Sot vizituam Stefanin dhe Milloshin dhe i uruam shërim të shpejtë dhe kthim sa më shpejt në vendlindje, sa të jetë e mundur”, tha Rakiç për Kosovo Online.

Ai ka pretenduar kinse “serbët po dëbohen nga Kosova”, derisa ka kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare dhe KFOR-i që ta rrisin prezencën e tyre.

“Ata u përpoqën në çdo mënyrë që të na dëbojnë nga këto treva. Unë u bëj thirrje të gjitha autoritetet kompetente, mbi të gjitha bashkësia ndërkombëtare dhe KFOR-i të rrisin prezencën”, shtoi Rakiç.

Ndërsa kirurgu Bozhidar Odaloviç, ka theksuar të plagosurit janë mirë, por plagët janë të rënda.

“Djemtë janë ende të shtruar tek ne, është përshkruar terapia e duhur dhe ata janë nën mbikëqyrjen e vazhdueshme të stafit tonë mjekësor. Plagët janë trajtuar sot, plagët janë mirë dhe shpresoj se gjithçka do të jetë në rregull”, tha Odaloviç.

Ndryshe ndaj ushtarit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), i cili ishte i përfshirë në plagosjen e dy të rinjve (11 dhe 21 vjeçar) pritet që të caktohet masa e paraburgimit të shtunën.

Lajmin e ka bërë të ditur për Albanian Post, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Shukri Jashari.

“Ju njoftoj se sot pasdite do të paraqesim në Gjykatën Themelore në Ferizaj, kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit”, ka thënë Jashari për AP.

Plagosja e dy të rinjve në Shtërpcë: Paraqitet kërkesa për masën e paraburgimit ndaj dorasit

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore