Lajme

Plagosja e dy të rinjve në Shtërpcë: Paraqitet kërkesa për masën e paraburgimit ndaj dorasit


Gjykata Themelore në Ferizaj.

Ndaj ushtarit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), i cili ishte i përfshirë në plagosjen e dy të rinjve (11 dhe 21 vjeçar) pritet që të caktohet masa e paraburgimit të shtunën.

Lajmin e ka bërë të ditur për Albanian Post, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Shukri Jashari.

“Ju njoftoj se sot pasdite do të paraqesim në Gjykatën Themelore në Ferizaj, kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit”, ka thënë Jashari për AP.

Se në plagosjen e dy të rinjve (11 dhe 21 vjeçar) në Komunën e Shtërpcës është i përfshirë edhe një ushtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës, e kishtë bërë të ditur vetë ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’.

“Me rastin janë duke u marrë organet e sigurisë dhe drejtësisë. I njëjti do ta trajtohet edhe sipas rregulloreve dhe ligjeve që kemi në fuqi në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë”, ka shkruar Mehaj të premten.

Ai ka shprehur “keqardhjen më të thellë për atë që ka ndodhur në Shtërpcë”, derisa  “të plagosurve, u uroj shërim sa më të shpejtë”.

Plagosja në Shtërpcë.

Dy persona kanë mbetur të plagosur në fshatin Drajkovc të Shtërpcës mesditën e së premtes.

Dyshohet se ata janë gjuajtur me armë zjarri nga një automjet në lëvizje që po qarkullonte nga Shtërpca në drejtim të Ferizajt ku ka mbetur i plagosur një 11-vjeçar dhe po ashtu një 21-vjeçar.

“Dy të lënduarit për ndihmë mjekësore janë dërguar në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Shtërpcë dhe pas marrjes së ndihmës së parë në Shtërpcë, për tretman të mëtutjeshëm mjekësor janë dërguar me autoambulancë për në qytetin e Graçanicës”, sqaroi në njoftim policia.

Më vonë, Policia e Kosovës, përmes një komunikate për media, njoftoi se i dyshuar për plagosjen e dy personave në Shtërpcë është arrestuar.

“Policia Rajonale e Ferizajt, pas një pune intenzive hetimore, grumbullimit të informacioneve në terren kanë identifikuar e më pas kanë arrestuar të dyshuarin A.K (M/K) i moshës 33 vjeçar”, thuhet në komunikatë.

Siç zakonisht ndodhë, në Serbi rastit i kanë dhënë ngjyrime politike. Drejtori i të ashtuquajturës Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë Petar Petkoviç, ka deklaruar se “serbët janë qëlluar nga një shqiptar”, derisa pohoi se qëllimi ishte “të na japin Krishtlindje të përgjakshme”.

Në anën tjetër, kryeministrja serbe, Ana Brnabiç, kërkoi nga komuniteti ndërkombëtar që fajtorët të sjellën para drejtësisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore