Lajme

“Qeveria s’po na përgjigjet, ndjehemi të shfrytëzuar”, protestojnë punëtorët e KEK-ut


Punëtorët e KEK-ut protestojnë në shesh.

Shoqata Sindikale e Sigurimit Fizik në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), ka protestuar të hënën duke kërkuar rikthimin si punëtorë të KEK-ut dhe jo të tenderohen vazhdimisht në sektorin privat.

Kryetari i Sindikatës së sigurimit fizik të KEK-ut, Nexhat Murati, u shpreh se përmes kësaj proteste janë duke kërkuar të drejtat e tyre legjitime.

“Ne sot ishim në protestë para Qeverisë dhe para KEK-ut atje, jemi duke i kërkuar të drejtat tona legjitime të cilat po shkelen në vazhdimësi, më së shumti prej KEK-ut dhe bordit të tij, po edhe nga ministria”.

“Jemi me kontrata valide të cilën e kemi të përhershëm me KEK-un, ne punojmë tek sektori privat ku jemi të huazuar e jo të privatizuar. Dolëm para Qeverisë, pasi që na kanë premtuar që në ditët e para të tyre që do të marrin masa”.

Ai tutje ka thënë se është “i befasuar” me Qeverinë Kurti, në të njëjtën kohë edhe të shqetësuar.

“Jam i befasuar me këtë qeveri. Ne jemi shumë të shqetësuar pasi që asnjëherë nuk na është mundësuar të punojmë për familjet tona, por vetëm për oligarkë të KEK-ut dhe kompanive private”.

Murati, bëri të ditur se për këtë çështje ka qenë në gjykim në vitin 2010, ku sindikata ka dalë fitimtare mirëpo nuk është ndërmarrë asnjë masë.

“Rastin e parë në gjykatë e kemi fituar në 2010, mirëpo kur e njëjta gjykatëse thotë nuk mundem me marr vendime të drejtë për ju se kam marr kërcënime, kam fëmijë, nuk di ka të drejtohem më”.

“I bëj edhe njëherë thirrje qeverisë që të na takojë njëherë, ti tregojmë që po kërkojmë vetëm drejtësi”.

Kjo nuk është protesta e parë që punëtorët e KEK-ut e kanë mbajtur një të ngjashme e kishin pasur edhe më 16 mars.

Korporata Energjetike e Kosovës është një ndër ndërmarrjet kryesore energjetike në vend.

Asetet e korporatës janë nën pronësi të plotë të Qeverisë së Kosovës.

Që nga viti 2018 asnjë punëtorë i KEK-ut nuk ka pasur ngritje të pagës, pavarësisht që performanca e KEK-ut ka qenë mjaft e mirë dhe nga menaxhmenti është deklaruar se kanë pasur mbi 100 milionë euro fitim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore