Rajoni

Qeveria e Maqedonisë ndan 35 milionë euro për komunat


Zëdhënësit e Qeverisë  së  Republikës së  Maqedonisë  të  Veriut, Muhamet Hoxha dhe Dushko Arsovski, deklaruan sot se shpërndarja e 35 milionë  eurove, që  ishin të  planifikuara nga koncesioneri TAV, për ndërtimin e Aeroportit Kargo në  Shkup, tani do të  investohen në  projekte infrastrukturore në  75 komuna.

Arsovski theksoi se në zbatim do të vendosen 92 projekte infrastrukturore, të  cilat do të përmirësojnë cilësinë e jetës së qytetarëve.

Këto projekte përfshijnë furnizimin me ujë të pijshëm, rrjet kanalizimesh me rrjedhje deri në  pikat e fundit të  shkarkimit, rikonstrukturimin dhe ndërtimin e rrugëve lokale, shkollave fillore dhe të  mesme, rezervuarë  uji, e shumë  projekte të tjera.

Zëdhënësi Hoxha prezantoi disa pjesë të projekteve, përsa u përket bashkive në  veçanti.

Qyteti i Shkupit nga këto investime do të ketë në dispozicion gjithsej 6 milion euro për realizimin e dy projekteve: një për ndërtimin e aksit rrugor Mumin-Potok dhe projektin për ndërtimin e urës në lagjen Karposh.

Mbi 1 milionë euro do të ndahen në: Shuto Orizar, Shtip, Çair, Strumicë, Tetovë, Kërçovë, Strugë për projekte që do të përmirësojnë cilësinë e jetës së qytetarëve.

Projektet janë parashikuar të realizohen edhe në komunat e Sarajit, Butelit, Karposhit dhe komuna tjera.

Sipas Marrëveshjes me Kompaninë “TAV” që  në vitin 2008, ishte parashikuar që me 49 milionë euro të ndërtohej Aeroporti Kargo në  Shtip. Ndryshimi erdhi si pasojë  e analizës për vlerësimin ekonomik, që  prej shkurtit të vitit 2020. /AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore