Lajme

Qendra Evropiane për Lirinë e Medias: Emërimi i Gërvallës shkatërron përpjekjet e Bordit të RTK-së


Radio Televizioni i Kosovës.

Qendra Evropiane për Shtypin dhe Lirinë e Medias ka reaguar pas zgjedhjes së Rilind Gërvallës, drejtor për kanalet shqip në Radio Televizionin e Kosovës (RTK).

Përmes një cicërime në rrjetin social ‘Twitter’ nga kjo qendër është thënë se kështu “shkatërrohen përpjekjet e Bordit për depolitizim të transmetuesit publik”.

“Shprehim keqardhje për vendimin e bordit të RTK-së për zgjedhjen e Rilind Gërvallës si drejtor të televizionit. Z. Gërvalla është një aktivist i partisë në pushtet. Emërimi i tij shkatërron përpjekjet e Bordit, i cili kishte mbështetjen tonë të plotë, për të depolitizuar transmetuesin publik”, thuhet në reagimin e kësaj organizate në Twitter.

Më 31 janar, Bordi i Radio Televizionit të Kosovës (RTK) ka zgjedhur të martën aktivistin e Lëvizjes Vetëvendosje Rilind Gërvallën drejtor të RTK-së për kanalet shqip (1,3 dhe 4).

Nga bordi i RTK-së është bërë e ditur se Gërvalla është zgjedhur në këtë pozitë me tetë vota për dhe asnjë kundër.

“Bordi i RTK-së me tetë vota për dhe asnjë kundër, ka miratuar rekomandimin e drejtorit të përgjithshëm të RTK-së, për emërimin e z. Rilind Gërvalla në pozitën e drejtorit të kanalit shqip të RTK-së (RTK1, 3, 4). Në mbledhjen e sotme u diskutua edhe për zhvillime të tjera në RTK”, thuhej në njoftim e RKT-së.

Ky vendim sipas RTK-së është bazuar në “nenin 29 të ligjit nr. 04/L046 për Radio Televizionin e Kosovës, nenit 22 të Statutit të Radiotelevizionit të Kosovës, neni 14, neni 27 dhe neni 28 të rregullores për procedurat e përzgjedhjes së drejtorit të përgjithshëm dhe menaxhmentit të lartë të RTK-së”.

Rilind Gërvalla drejtor i RTK-së.

Gërvalla është aktivist i partisë së Vetëvendosjes që nga viti 2009.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore