Lajme

Rilind Gërvalla, aktivisti i Vetëvendosjes, drejtor i televizionit publik


Rilind Gërvalla drejtor i RTK-së.

Bordi i Radio Televizionit të Kosovës (RTK) ka zgjedhur të martën aktivistin e Lëvizjes Vetëvendosje Rilind Gërvallën drejtor të RTK-së për kanalet shqip (1,3 dhe 4).

Nga bordi i RTK-së është bërë e ditur se Gërvalla është zgjedhur në këtë pozitë me tetë vota për dhe asnjë kundër.

“Bordi i RTK-së me tetë vota për dhe asnjë kundër, ka miratuar rekomandimin e drejtorit të përgjithshëm të RTK-së, për emërimin e z. Rilind Gërvalla në pozitën e drejtorit të kanalit shqip të RTK-së (RTK1, 3, 4). Në mbledhjen e sotme u diskutua edhe për zhvillime të tjera në RTK”, thuhet në njoftim e RKT-së.

Ky vendim sipas RTK-së është bazuar në “nenin 29 të ligjit nr. 04/L046 për Radio Televizionin e Kosovës, nenit 22 të Statutit të Radiotelevizionit të Kosovës, neni 14, neni 27 dhe neni 28 të rregullores për procedurat e përzgjedhjes së drejtorit të përgjithshëm dhe menaxhmentit të lartë të RTK-së”.

Foto: Rilind Gërvalla aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje.

Lidhur me këtë vendim ka reaguar edhe aktivitisti i Partisë Socialdemokrate, Zgjim Hyseni, i cili njihet me Gërvallën nga koha kur ishin bashkëpartiakë.

“Rilind Gërvalla drejtor i televizionit. Baba nalt, barabat poshtë. Jo që kem t’u pritë me na iluminu RTK-ja, po kjo tashmë tregon deri ku janë në gjendje me shku”.

“Fyerje e poshtrim ma t’madh s’ka mujt me pasë. Ju që monitoroni s’kisha pasë qef me iu ni t’u thanë që edhe këta po bahen si ata. Ky është rasti ma brutal i kapjes deri tash. Keni me i harru PDK, LDK e AAK”.

Gërvalla është aktivist i partisë së Vetëvendosjes që nga viti 2009.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore