Shqipëria

Protestat në Shqipëri i dëshiron Rusia, thotë Rama


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se protestat disa-ditore në Shqipëri për uljen e çmimeve, janë në interes të Rusisë dhe se ajo i dëshiron ato.

Për Ramën, retorika ndaj protestës vijon të jetë e njëjta, duke ritheksuar se ato protesta ishin “një turp”.

“Këtë gjë e do Rusia”, tha ai në një takim me qytetarët. “Ata duan pikërisht që, në vende, të cilat mbështesin Ukrainën, të ketë protesta të tilla kundër rritjes së çmimeve, të cilat krijojnë destabilitet brenda vendit”.

Pikërisht për këtë fakt, numri një i Qeverisë shpjegon se lufta dhe kriza, nuk është vetëm e popullit ukrainas, por e të gjithë evropianëve.

Pra, edhe pse pasojat direkte i vuajnë qytetarët në Ukrainë, pasojat e krizës së krijuar i vuan e gjithë Evropa dhe protestat ndaj qeverive evropiane për çmimet, janë në funksion të Moskës.

Më tej, ai vijoi duke thënë se nuk është nafta më e rëndësishmja, por çmimi i energjisë.

“Përtej faktit se çmimi është dhjetëfishuar, qytetarët shqiptarë nuk e ndiejnë dhe e paguajnë njësoj në faturë. Pjesën tjetër, e rimburson shteti”, ravijëzoi ai.

Teksa, mbi dëgjesën ndaj protestave reale, Rama e përshkruan Qeverinë e tij 9-vjeçare tashmë, si “Qeverinë që më së shumti i ka dëgjuar ankesat e popullit dhe ka vepruar”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore